Kryeministri, Albin Kurti, ka bërë homazhe para arkivolit me trupin e këngëtarit Ismet Bogujevci, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar, raporton Ekonomia Online.
Kurti shpalosi kujtime nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci.
Ai tha se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.
“Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut’ të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj ngapak duke e imituar Ismet Bogujevcin”.
Ai theksoi se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.
“Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”.
Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Bogujevci, u nda nga jeta një ditë më parë.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se veprimtaria e Ismet Bogujevcit do të jetojë gjatë dhe do të jetë frymëzim për brezat e tjerë, duek shtuar se ai nuk e komercializojë asnjëherë artin.
“Para takimit me të para dy jave gjëja e fundit që do të më shkonte ndërmend është vdekja e tij. Ai ishte modest, një muzikant i shkëlqyer që tërë arritjen e tij ia dedikoi kombit dhe vendit të tij”.
“Është një humbje e madhe për krejt Kosovën. Një person që dha shumë për vendin dhe nuk e komercializojë asnjëherë artin”, tha Çeku.
Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, familjare e këngëtarit të ndjerë, tha se veprat e tij kanë lënë gjurmë të mëdha te çdo qytetarë, raporton EO.
“Unë jam rritur me bejen Ismet, përveç vendin që ka pasur në familje ka qenë person që ka lënë gjurmë në vend, dhe i ka dhënë shumë kulturës dhe artit në vend”.
“Keni arritur me pa se kush ka qenë Ismet Bogujevci si artist dhe si njeri, ka qenë fjalë pak dhe punëtor dhe ka lënë gjurmë te secili person. Është nder i madh për mua që e kam pasur familjar”.
Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi tha se është humbje e madhe për vendin dhe kolegët vdekja e Bogujevcit, raporton EO.
“Dita e djeshme ishte ditë pikëllimi për gjithë artistët, një njeri që ka bërë shumë për vendin. E ka frymëzuar vendin me punën që ka bërë dhe është humbje e madhe”, tha Bulliqi.
I gjithë ky aktivitet është organizuar nga ministria ë Kulturës, në bashkëpunim me Ansamblin “Shota”.
Fillimisht është bërë parakalimi i funeralit përmes sheshit “Zahir Pajaziti” deri në Teatrin Kombëtar për të vazhduar më pas edhe me ceremoninë zyrtare të homazheve.