Krerët e FFK-së u pritën nga Kryeministri Hoti, bisedojnë për lejimin e stërvitjeve dhe shkollat e futbollit

Prishtinë | 28 Gus 2020 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Agim Ademi në shoqëri të nënkryetarit, Bakir Burri, sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu dhe drejtuesve të tifo-grupit “Dardanët”, Lulzim Berisha e Arben Zhjeçi, janë pritur sot nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale rreth pandemisë, për gjendjen në futbollin e Kosovës si dhe për dy ndeshjet e radhës që Kombëtarja e Kosovës do t’i luajë në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë në Parma dhe kundër Greqisë në Prishtinë, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Presidenti Ademi e njoftoi kryeministrin për punën që po bëhet nga FFK rreth përgatitjeve për këto dy ndeshje, por edhe për fillimin e kampionatit të ri që është planifikuar të nisë më 12 shtator.

Image

Së këndejmi, presidenti Ademi kërkoi nga kryeministri Hoti që në konsultim me institucionet shëndetësore të krijojë mundësi për lejimin e stërvitjeve dhe aktiviteteve për klubet dhe shkollat e futbollit.

Gjithashtu, në këtë takim u bisedua edhe për infrastrukturë dhe për nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet FFK-së dhe Qeverisë në krijimin e kushteve sa më të mira për të rinjtë me qëllim të avancimit të futbollit kosovar. 

Image

Të ngjashme