Policia e Kosovës, njësitet e hetimeve të stacionit policor në Gjilan, kanë arrestuar të dyshuarin, i cili dyshohet se dje më 11.10.2021, në një lokal të këmbimit të valutave ka kryer veprën penale “Grabitje”.
Sipas njoftimit thuhet se i njëjti nën kërcënim të armës ka arritur të marrë një sasi të konsiderueshme të hollash dhe po ashtu ka shtënë në drejtim të punëtores e cila ka pësuar lëndime trupore si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri.
“Po sot më 12.10.2021, përsëri Policia u lajmërua për një grabitje me armë në një lokal në Gjilan ku një i dyshuar , nën kërcënim të armës pasi ka shtënë dy herë në ajër ka arritur që t’i marrë një sasi të konsiderueshme të hollash nga kasa e lokalit dhe fatmirësisht askush nuk është lënduar. Policia e Kosovës , Njësitet e hetimeve të Policisë së Kosovës stacioni policor në Gjilan, pas një pune mirë të organizuar operative kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin mashkull shtetas të Kosovës L.Z. (2003) me banim në Gjilan i cili dyshohet të jetë i përfshirë në dy rastet e grabitjes”, thuhet në njoftim.
Ai pas arrestimit është sjellë në lokalet e stacionit policor në Gjilan ku është intervistuar në bazë të procedurave ligjore, në prani të avokatëve mbrojtës.
Si provë materiale i është gjetur arma e përdorur në këto vepra penale si dhe një shumë të hollash që janë grabitur të cilat u janë kthyer pronarëve legjitim.
Prokurori i shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë.
Rastet janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës konkretisht hetimet Rajonale në Gjilan në bashkëpunim me prokurorin e shtetit.