Kreu i BQE, Lagarde injorohet nga djali i saj – Humbi pothuajse të gjitha paratë e investuara në kripto

Prishtinë | 27 Nën 2023 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Shumë lehtë mund të mendohet se familjet e shefave të bankave qendrore më të fuqishme në botë i kanë financat e tyre në gjendje shumë të mirë. Në fund të fundit, kur këshillat financiare të klasit botëror janë të disponueshme falas në shtëpinë tuaj, sa mundësi ka që të humbisni para?

Por, duket se ka shumë mundësi. Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde ka pranuar se djali i saj humbi pothuajse të gjitha paratë e tij për shkak të investimit në kriptomonedha, pavarësisht se ajo u përpoq ta këshillonte atë përpara se të humbiste shumën e madhe të parave.

Lagarde pranoi se i biri e kishte injoruar plotësisht, duke humbur në këtë mënyrë paratë e investuara. Ndonëse, sipas saj nuk ishte një shumë e konsiderueshme, ai humbi rreth 60% të investimit. Lagarde ka dy djem që janë në mesin e të 30-tave, por ajo nuk tha se cili prej tyre i humbi paratë.

Lagarde ka folur për një kohë të gjatë kundër kriptomonedhave duke thënë se ato janë spekulative dhe të pavlera dhe më keq, një mjet që përdoret shpesh nga kriminelët për të financuar aktivitetet e tyre të paligjshme.

BQE ka sugjeruar që duhet të ketë rregullore globale të aseteve të mbajtura në kriptovaluta në mënyrë që të mbrohen klientët që nuk janë në dijeni për rrezikun dhe gjithashtu të mbyllet një boshllëk që lejon terroristët të kanalizojnë fondet ose pastruesit e parave për të pastruar paratë cash.

Ka shqetësime se monedhat e emetuara privatisht mund të zëvendësojnë monedhat e emetuara nga qeveritë. BQE ka nisur një projekt digjital të euros, por do të kalojnë disa vite para se të dalë në treg ndonjë para digjitale.

Në tetor, BQE filloi fazën përgatitore për euron digjitale, por shtoi se do t’i duheshin edhe dy vite të tjera përpara se të vendoste nëse do ta nxjerrë atë apo jo. Lagarde theksoi se njerëzit janë të lirë të investojnë paratë e tyre ku të duan, të spekulojnë sa të duan, por nuk duhet të jenë të lirë të marrin pjesë në tregti dhe biznese të sanksionuara penalisht.

Të ngjashme