Kreu i FShF-së uron presidentin e FFK-së për pesëvjetorin e pranimit në UEFA

Prishtinë | 03 Maj 2021 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëherësh anëtar i KE të UEFA-s, përmes një mesazhi ka uruar presidentin Agim Ademi dhe të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë me rastin e pesëvjetorit të anëtarësimit në UEFA.

Ai theksoi se FSHF është krenare për kontributin e dhënë në këtë proces historik dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Mesazhi i plotë i presidentit të FShF-së, Armand Duka:

Sot është një datë historike për futbollin kosovar dhe Federatën e Futbollit të Kosovës. 5 vite më parë Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në UEFA gjatë Kongresit të 40-të, duke shënuar kështu një arritje të madhe në arenën ndërkombëtare.

Dua të shpreh urimet më të sinqerta për FFK-në, presidentin Agim Ademi dhe të gjithë aktorët e futbollit në Kosovë në këtë përvjetor të pestë.

Ndihem mirë teksa shoh që futbolli kosovar ka bërë hapa të mëdha përpara, duke u rritur dhe duke u përfaqësuar gjithmonë e më mirë edhe ndërkombëtarisht.

Federata Shqiptare e Futbollit është krenare për kontributin që ka dhënë në këtë proces historik dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me vëllezërit tanë të FFK për të çuar përpara projekte të mëdha në të mirë të futbollit.

Falënderim e mirënjohje përjetë edhe për ish-presidentin e ndjerë të FFK, legjendën Fadil Vokrri, pa kontributin e të cilit kjo ngjarje historike do të ishte e pamundur.

Urime edhe një herë Federatës së Futbollit të Kosovës në këtë ditë të shënuar!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme