Kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi, u ka bërë thirrje komisionerëve të partive që të mos ndalojnë procesin e numërimit të votave.
Bllokimi i punës me justifikime të lodhjes, sipas Celibashit, janë histori të së shkuarës që nuk duhet të vazhdojnë. Kreu i KQZ theksoi se ata numërues që janë të lodhur, duhet të zëvendësohen menjëherë.
“Raste kur komisioneri u lodh, do bëjë 1 orë pushim, 2 orë pushim, unë mendoj që janë tregues të mungesës së vullnetit për të përmbushur detyrimet ligjore në raport me nxjerrjen e rezultatit. Partitë politike duhet të kenë marrë masa, nëse komisionerët e tyre, anëtarët e grupit të numërimit lodhen, të kenë gati grupet e tjera të numërimit. KQZ ka marrë masa që të trajnojë në mënyrë të menjëhershme anëtarët e rinj të grupit të numërimit. Por historitë dhe skenat me komisionerë të lodhur apo të sëmurë unë mendoj që duhet të marrin fund dhe ajo parti që i bën këto është diskedituese për atë partinë”, u shpreh Ilirjan Celibashi.