Këtë verë qytetarët në Shqipëri mund të lëvizin pa mbajtur maskë.
Kështu u shpreh sot kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, i cili u nis nga fakti se ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës epidemiologjike në vend.
Po ashtu ai tha se situata pritet të jetë akoma edhe më pozitive pas vaksinimit në masë të popullsisë.
“Predispozicioni është i mirë që do shkojmë drejt lirimit të masave, vera na ndihmon. Jemi drejt vlerësimit të lirimit të masave për një sezon turistik sa më të mirë. Nuk më shqetëson vera sepse situata do të jetë më e lehtë.
Masat duhet të lirohen në mënyrë graduale që të mos ketë kthim mbrapa. Vetëm me indikatorët do të vlerësohet situata me pandeminë në Shqipëri. Negociatat për sigurimin e vaksinave nuk kanë përfunduar asnjëherë.
2 milion e 600 mijë vaksina janë të kontraktuara tashmë. Jemi në një pikë shumë të mirë, vaksinimi masiv do vijojë dhe në verë. Sezoni turistik do të jetë i qetë, do organizohemi me shtim të qendrave shëndetësore verore, do merren masat.
Verë me vaksina, me masa, por mendoj pa maska, të paktën në ambientet jashtë. Siç është ecuria besoj pa maska”, tha Brataj. /noa.al