Në gjykimin e të akuzuarit për krime lufte të kryera në Krushë të Vogël të Prizrenit, sot dhe nesër trupi gjykues i përbërë nga Artan Sejrani, kryetar, dhe Ajser Skenderi e Xheladin Osmani, anëtarë, kanë caktuar mbajtjen e shqyrtimeve të ardhshme gjyqësore.
Në këto seanca pritet të vazhdojnë rrëfimet e dëshmitarëve të propozuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale.
Aktakuzën e prokurorisë speciale e përfaqëson prokurorja speciale Drita Hajdari.
Siç shkruan kallxo, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiq, ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm i pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.
Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit si dhe anëtarëve tjerë të familjes.
Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.