Shpalosja e krimeve të Serbisë në Kosovë, logjikshëm, në këtë dhe në cilindo moment tjetër, do të duhej ta rrëqethë Beogradin, politikën dhe opinionin e atjeshëm, në radhë të parë. Në rastin e shpalosjes së një fakti të tillë, sot, me plot absurditet, u rrëqeth dhe më shumë u trondit një pjesë me ndikim e opinionit dhe në opinionin kosovar. Fillimisht, një grumbull karkalecësh të këtushëm u ngritën menjëherë dhe me plot alergji, për të gjetur “kime në vo’”, dhe që ta neutralizojnë, me të parën, vetë vërtetësinë e fotografisë së nxjerrë në publik nga deputetja, shkrimtarja dhe humanistja e mirënjohur, Flora Brovina.
Krimet serbe apo gjenocidi i Serbisë në Kosovë, përbëjnë fakt. Mijëra femra të dhunuara këtu, nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, janë fakt. Gjithashtu, fotografi të tilla, si kjo e sotmja, është fakt se janë publikuar edhe më herët – në ekspozita, në libra, në gazeta e mediume të ndryshme nëpër vite.
Flora, sot, në Kuvendin e Kosovës, nuk bëri asgjë për herë të parë në këtë temë. Ajo, tash e tridhjetë vjet evidenton, ruan, argumenton, ekspozon dhe e denoncon krimin serb mbi shqiptarët e Kosovës.
Çuditërisht, në vend se në drejtim të Serbisë vrasëse e dhunuese, shigjetat dhe i gjithë arsenali mediatik e publik u orientua kundër Flora Brovinës, një femre, humaniste, deputete dhe viktime të Serbisë, e cila nuk bëri asgjë tjetër, pos që në mënyrën e saj denoncoi publikisht dhunën e ushtrisë serbe mbi një femër dhe një familje shqiptare të viteve të luftës 1998/1999.
Ironia u përshkallëzua edhe më shumë, kur me çdo kusht u tentua të neutralizohet, të relativizohet vërtetësia e fotografisë, ndërkohë që, sipas Brovinës, fotografia është gjetur në aparatin fotografik të një ushtari të vrarë serb në luftën e Kosovës.
Rrjedh pyetja, kush duhet të ketë qenë i interesuar që ta relativizojë vërtetësinë e fotos, më shumë se sa vetë qendra nga ku u urdhërua ky krim mbi femrën shqiptare, në atë kohë – Beogradi? Në këtë rast, një pjesë e medias sonë e bëri në mënyrën më të mirë, për disa orë gjatë kësaj dite, argatin në favor të Beogradit.
Tema e fotografisë që shpërfaqte një fragment të tmerrshëm të krimit serb mbi shqiptaret në Kosovë, u synua (për interesa klikimesh, prodhimi senzacioni apo bërje argati Serbisë, me apo pa vetëdije) të zhvendoset në Irak, duke ua atribuuar vërtetësinë e fotografisë produksioneve të industrisë pornografike të atjeshme.
Ky ishte kulmi i zi i krejt debatit të sotëm mbi një fragment të dhimbshëm e tragjik të luftës në Kosovë.
Në fund të fundit, është Flora Brovina ajo që ka vepra rreth kësaj dhe këtyre temave, kurse të tjerët, që u rreshtuan në një front përballë saj, kanë llafe për këto tema dhe jetojnë prej llafeve.
Flora u paragjykua gjatë krejt kohës, edhe për faktin se haptas dhe që moti është pjesë e një subjekti të caktuar politik, nga njerëz që, padeklarueshëm, përgjatë krejt këtyre viteve ishin apo janë pjesë herë e njërit e herë e tjetrit subjekt apo grumbull politik a jopolitik, veç për nga një grumbull fondesh, parash apo kaçikash prej eurosh.
Krimi serb, gjenocidi serb në Kosovë është fakt.
Është dhimbje. Është tragjedi. Kurdo që denoncohet, nuk është vonë. Kontestimi, mohimi dhe relativizimi i tij është pafytyrësi e, pse jo, mund të jetë edhe mision apo detyrë për ndokë, edhe këtu në Kosovë.