Krimi i vëllait të reperit Buta, profesoresha e UP-së: Këngët duhet të censurohen

Prishtinë | 30 Maj 2022 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Ligjëruesja e Etikës në Media në Universitetin e Prishtinës, Remzie Shahini-Hoxhaj, ka thënë se këngët që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, racizëm dhe gjuhë denigruese duhet të cenzurohen.

Ajo ka thënë se institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa, derisa ka shtuar se, të paktën, këto këngë është dashur që në televizionet nacionale, në media prestigjioze të cenzurohen tekstet dhe të mos promovohen si vlerë e shtuar e shoqërisë kosovare.

“Në këto 10 vitet e fundit kemi pasë një ndryshim të diskursit të gjithëmbarshëm të përdorimit të gjuhës në përgjithësi, mjerisht negativ dhe degradim të gjuhës në kuptimin e prononcimit në sferën publike, prandaj edhe ngjarjet e fundit kanë theksuar se do të duhej që institucionet përgjegjëse më në fund duhet të marrin masat ndëshkuese ndaj atyre që abuzojnë me hapësirën publike”.

Shahini-Hoxhaj tha se zakonisht në zhanrin Rap të muzikës përdorët një gjuhë e rrugës (slang) dhe se kjo ndodh në mbarë botën, por se edhe përmbajtja e tyre duhet cenzuruar.

“Institucionet përgjegjëse, siç është Komisioni i Pavarur i Mediave do të duhej t’i monitoronte edhe televizionit. Televizioni vazhdon të mbetet mediumi kryesor në informimin e publikut kosovar, prandaj këto këngë do të duhej të cenzuroheshin”.

Profesoresha e UP-së thotë se në praktikat e vendeve të tjera cenzurohen edhe përmbajtje të tjera të produkteve mediale dhe jo vetëm këngët.

“Pjesa e komunikimit që nxit urrjejte duhet cenzuruar. Këto këngë kanë ndikim të madh te audienca, prandaj po e potencoj që duhet të cenzurohen. Në gjithë botën e moderuar cenzurohen jo vetëm këngët, por ndoshta edhe debatet televizive. Madje, në Amerikë praktikohet që transmetimi i drejtpërdrejtë të shkojë me dy-tre sekonda vonesë për mundësinë pikërisht të cenzurimit. Kështu që, e njëjta praktikë do të duhej të aplikohej edhe në Kosovë”.

Të ngjashme