Krishti arrestohet! Ngjarja zhvillohet në Sevilje, në shekullin XVI, në kohën e Inkuizicionit. Ai kthehet në Tokë dhe shfaqet mes njerëzve. Ata e njohin menjëherë, mblidhen rreth tij dhe kërkojnë ndihmë. Inkuizitori i Madh e sheh turmën dhe urdhëron rojat ta arrestojnë. Ky kardinal i moshuar është njeriu ma i fuqishëm i Kishës në qytet. Ai vendos kush duhet me u burgosë e kush duhet me u dënu. Fjala e tij është ligj.
Njerëzit që pak ma herët ishin mbledhë rreth Mesisë, tash i hapin rrugë pushtetit që po e çon në burg. Këtë skenë e ka imagjinu Fjodor Dostojevski në romanin “Vëllezërit Karamazov”. Ivan Karamazovi ia rrëfen vëllait të tij, Aljoshës. Të krishterët e njohin Jezusin si Krishtin, Mesinë dhe Shpëtimtarin. Për myslimanët, ai është Isai, biri i Merjemes, Mesia dhe profet i Zotit. Tregimi vazhdon në qelinë e burgut, ku kardinali shkon me i tregu Jezusit pse e ka arrestu.
Inkuizitori e akuzon Krishtin se ua ka dhanë njerëzve tepër shumë liri. Ua ka lanë mundësinë me zgjedhë vetë çka është e mirë e çka është e keqe. Sipas tij, njerëzit e kanë të vështirë me jetu me këtë barrë. Kur vendosin vetë, duhet edhe me mendu vetë, me marrë përgjegjësi dhe me i bartë pasojat. Shumë prej tyre e kanë ma lehtë kur dikush tjetër u tregon çka duhet me besu dhe si duhet me jetu.
Kisha që përfaqësonte kardinali u ofronte siguri. Në këmbim, kërkonte prej njerëzve me dëgju e mos me ba pyetje. Kjo binte ndesh me mësimin e Shpëtimtarit. Sipas këtij mësimi, besimi duhet me ardhë prej vullnetit të njeriut dhe nuk mundet me u imponu me forcë. Të njëjtën ide e gjejmë edhe në Kuran. Në suren El-Bekare, ajeti 256, thuhet: “S’ka shtrëngim në fe.” Njeriu duhet me qenë i lirë me besu ose mos me besu. Vetëm atëherë zgjedhja e tij ka kuptim.
Kjo është përplasja mes Jezusit dhe Inkuizitorit. Mesia ua linte njerëzve lirinë me zgjedhë. Kardinali vendoste për ta dhe kërkonte bindje. Kthimi i Krishtit ia rrezikonte pushtetin, sepse njerëzit mund të nisnin përsëri me mendu me kryet e vet. Paradoksi është i madh: Kisha ekziston falë Krishtit, por Inkuizitori e burgos për me e ruajtë pushtetin e Kishës.
I njëjti paradoks shfaqet edhe në politikë. Lideri e merr pushtetin prej popullit, pastaj mundohet me e mbajtë po atë popull nën kontroll, që me sundu sa ma gjatë. I duhen votat e njerëzve, por qytetari që mendon vetë i nxjerr telashe. Ai pyet, dyshon, kërkon llogari dhe voton ndryshe kur zhgënjehet.
Në Kosovë, kjo mendësi nis qysh brenda partive. Pothuajse secila është ndërtu rreth një lideri. Kryetari nuk i afron gjithmonë njerëzit ma të aftë. Shpesh i zgjedh ata që e dëgjojnë dhe nuk e kundërshtojnë. Me kalimin e kohës, krejt partia fillon me pritë prej tij. S’ka vendim pa të, s’ka qëndrim pa të dhe përgjegjësi nuk merr askush.
Kur kjo logjikë bartet në shtet, pasojat i paguan ai që nuk ka fuqi. Këtë e shoh çdo ditë në punën time. Më bie me i dalë në krah dikujt që është shkelë prej ma të fortit. Institucioni që duhet me e mbrojtë shpesh hesht. Prandaj e them: Nuk ka vend ma të poshtër me jetu se Kosova. I dobëti shkelet. Fukaraja shtypet. E populli veç këqyr seri.
Shteti që hesht para të fortit dhe nuk e mbron të dobëtin, e humb arsyen pse ekziston.