Kritika Kosovës, lëvdata Sërbisë: Pse duhet të na shqetësojnë fjalët e Hillit?

Prishtinë | 29 Qer 2024 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, shpesh është vendosur në qendër të debatit në Kosovë për shkak të qëndrimeve të tij rreth dialogut e marrëdhënieve mes ShBA-së e Serbisë. Në së paku një rast, Hillit i ishte përgjigjur vetë kryeministri Albin Kurti. Hilli në disa raste ka pasur fjalë të mira për qëndrimet e Serbisë në dialogun me Kosovën, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Krejt këto deklarime të Hillit rreth Kosovës e Serbisë duhet të ngjallin shqetësime.

E para, deklaratat e Hillit shënjojnë gjendjen ekzistuese të raporteve në mes Kosovës dhe aleatës së saj amerikane. Pra gjendja është kthyer deri diku së prapthi, me Hillin që qorton Kosovën, teksa lavdëron Serbinë.

E dyta, në sytë e Hillit, që është “makineria e rëndë diplomatike e ShBA-së” në Ballkanin Perëndimor, Kosova është “problematikja” e dialogut, ndërsa Serbia “gjithnjë e gatshme” për bisedime.

E treta, Hill ka paralajmëruar edhe “metoda të tjera” në rast se nuk funksion dialogu, por pa sqaruar në detaje se çfarë nënkupton ky togfjalësh. Megjithatë, këto metoda kanë një ngarkesë kuptimore ogurzezë, pasi vetë Hill e theksoi se këto metoda të tjera “janë gjithmonë më të këqija”.

Kritikat e vazhdueshme të Hillit
Në gusht të vitit 2022, Hilli kishte befasuar opinionin publik në Kosovë, pasi kishte lavdëruar Serbinë për qëndrimet e saj në takimin në Bruksel, ku i pranishëm ishte edhe vetë Kurti. I pari i Ambasadës së SHBA-së në Beograd, e kishte cilësuar 18 gushtit si një ditë të gjatë, me shumë takime e negociata.

“Është shumë e qartë që Serbia erdhi në diskutime nën frymën e duhur, natyirsht se kanë bërë shumë punë për këtë çështje, por ishin të gatshëm që të diskutojnë dhe negociojnë rrugën përpara” – kishte theksuar Hill.

Srpska strana je došla na razgovore u Brisel u pravom duhu. To je dobro za nastavak dijaloga sa Prištinom i za budućnost odnosa SAD i Srbije. pic.twitter.com/jiZ3OdBRYe

— Američka ambasada (@USEmbassySerbia) August 19, 2022
Disa ditë më pas, Hill e kishte ripërsëritur të njëjtin qëndrim.

“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika…Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë” – kishte theksuar ai.

Kryeministri Kurti i ishte përgjigjur në mënyrë të tërthortë deklaratave të ambasadorit amerikan Christopher Hill me anë të dy deklaratave të ndryshme që nuk lidhen logjikshëm me njëra-tjetrën.

“Ka qenë takim i liderëve dhe duhet të bisedojmë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe jo thjeshtë menaxhim të krizës për probleme eventuale. Në Bruksel kam qenë si kryeministër i Kosovës. Nuk kam qenë si prokuror, as si polic, as i gjykatës, as si shef i kadastrës” – kishte deklaruar Kurti.

Hill u bë i gjallë edhe mbrëmë. Pak a shumë, Hilli i tha të njëjtat gjëra, duke ritheksuar se Serbia ishte e gatshme të bisedonte.

“Jemi pak të dekurajuar aktualisht. Ne me të vërtetë përkrahim dhe vazhdojmë ta përkrahim procesin e BE-së dhe dialogun e Brukselit. Ne mendojmë që kjo është mënyra e duhur, në fakt mënyra e vetme. Mendoj që duhet të ketë një përpjekje të vërtetë për të bërë progress, sepse, e dini, ka shumë muaj që nuk po ndodhë shumë. Kështu që, mendoj se kemi disa problem me këtë. Jam i kënaqur që pala serbe ishte e gatshme të bisedojë. Është e rëndësishme” – ka thënë mbrëmë Hill.

Në intervistën për mediumin serb “Blic”, Hill përmendi edhe metoda të tjera në rast se nuk funksionon dialogu.

“Është e qartë që ka qenë një vit i vështirë për dialogun, dhe në një mënyrë ka qenë e vështirë sepse kur nuk funksionon dialogu, përdoren metoda të tjera, dhe metodat e tjera janë gjithmonë më të këqija. Kështu që nuk ka dyshim që ka shumë shqetësime për këtë, por sërish, derisa dikush të vijë me një ide më të mirë, unë nuk kam dëgjuar ide më të mirë se dialogu, dhe mendoj që duhet të mbështet më fuqishëm. Shpresoj që kjo të jetë ajo që shohim në javët dhe muajt në vazhdim” – ka deklaruar Hill. (Nacionale)

Të ngjashme