Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë hedhur menjëherë poshtë propozimin e mbrëmshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e pjesshme dhe me kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia.
Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ka bërë të ditur se SHBA-të nuk i mbështesin masat gjysmake të Kurtit, por duan heqjen e plotë të taksës, shkruan Reporteri.net.
“Pozicionimi ynë është mjaft i qartë: taksat duhet të hiqen plotësisht”, ka thënë ai në një postim në llogarinë e tij në Twitter.
Tutje, Grenell thotë se Kurti është duke bërë një gabim serioz dhe kjo i është bërë e ditur Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë.
E pas kësaj llogaria në Twitter e Richard Grenell është vërshuar nga komente të kosovarëve, shumica prej të cilëve mendojnë se presioni i madh që po ushtrohet në drejtim të Kosovës, nuk po bëhet edhe kur është fjala për Serbinë.
Shumica e komentuesve thonë se Kryeministri Kurti është zëri i qytetarëve të Kosovës, dhe se masat e tij për taksën duhet të shqyrtohen nga ana e partnerëve ndërkombëtarë.
Ndryshe, për dallim nga SHBA-të, Bashkimi Evropian e ka përshëndetur paralajmërimin e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës mbi importet e lëndës së parë nga Bosnja dhe Serbia, duke e quajtur hap të parë dhe duke thënë se është në pritje të detajeve të reja.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet sot gjatë ditës për të shqyrtuar kërkesën e deputetëve të opozitës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme. /Reporteri.net