Klubi i basketbollit Bashkimi, më 24 maj të këtij viti bëri histori. U shpall kampion i Kosovës për herë të parë, pas dhjetëra tentimeve. Por klubi nga Prizreni sikur është kënaqur. Te Bashkimi nuk kanë të njëjtat synime për sezonin e ri, siç i kishin sezonin e shkuar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me një kampion të ligështuar si Bashkimi, një Prishtinë në dilema të shumta dhe me dy skuadrat e tjera të mëdha në krizë të thellë, Pejën e Trepçën, sezoni i ri pritet të jetë ndër më të dobëtit në vitet e fundit. Këtë “epitet” e mban sezoni i kaluar, kur nxori Bashkimin kampion.
Në klubin Bashkimi janë bërë ndryshime dhe fokusi i kryesisë së re është shlyerja e borxheve, stabiliteti financiar dhe ndërtimi i një ekipi me lojtarë vendorë.
Më të dobët se në edicionin e kaluar pritet ta ketë ekipin edhe nënkampionia dhe fituesja e Kupës së Kosovës, Sigal Prishtina.