Rikthimi i Flamurtarit të Prishtinës dhe Vëllaznimit të Gjakovës këtë edicion në Superligë, bëri që elita e futbollit të Kosovës të përbëhet sërish prej tri skuadrave me nam me ngjyra të njëjta të fanellave – kuqezi.
Si skuadër kuqezi pos Flamurtarit e Vëllaznimit është e njohur edhe Drenica, që vlerësohet prej skuadrave stabile të kampionatit të Kosovës.
Por këtë edicion këto tri skuadra kanë edhe një të përbashkët tjetër pos ngjyrave të fanellave. Të përbashkët e kanë krizën, qoftë financiare apo të rezultateve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Flamurtarit i kanë munguar rezultatet, Drenicës mjetet financiare kurse Vëllaznimit të dyja. Pas përfundimit të stinorit vjeshtor te Drenica gjërat janë përkeqësuar edhe më shumë. Kryesia dha dorëheqje pak ditë para fundit të stinorit derisa një gjë të tillë ditë më parë e bëri edhe trajneri Bekim Shotani. Po ashtu nga klubi janë larguar edhe futbollistët si Genc Hamiti e Visar Berisha, që ishin prej kryesorëve në vjeshtë.
Me gjithë problemet financiare, Drenica ka pasur rezultate të mira. Pas 18 xhirove ka tubuar 28 pikë dhe dimëron në pozitën e gjashtë në tabelë.