Në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit, të enjten, është diskutuar edhe për gjendjen e vështirë të furnizimit me ujë të pijshëm si pasojë e rënies drastike të nivelit të ujit në pendën e Përlepnicës, shkruan sot Koha Ditore.
Kompania e ujësjellësit është duke aplikuar reduktimet e ujit në Komunën e Gjilanit për 9 orë. Gjersa është paralajmëruar se në rast të përkeqësimit të situatës atëherë reduktimet do të plotësohen edhe me orë të tjera.
Drejtoresha financiare e kompanisë regjionale të ujësjellësit “Hidromorava”, Merita Xhelili, ka bërë të ditur se është duke u punuar në gjetjen edhe shfrytëzimin e puseve të reja, të cilat do të integroheshin në rrjetin aktual të ujësjellësit dhe do të lehtësonin furnizimin.