Kriza financiare, kryesisht për shkak të deficiteve buxhetore dhe borxheve të mëdha, me të cilën po përballen vendet e Bashkimi Evropian që nga viti 2010, në njëfarë mënyre mund të ndikojë edhe te partnerët tregtarë dhe kontraktual, që i kanë vendet e BE-së me vendet e treta, përfshirë këtu edhe Kosovën, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.
Ata thonë se është e pamundshme të thuhet se nuk ka kurrfarë ndikimi, kur kihet parasysh se 35 për qind e produkteve që vijnë në tregun e Kosovës, janë nga vendet e BE-së.
Megjithatë, siç thekson eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, duke pasur parasysh se Kosova nuk ka marrëdhënie të ngushta afariste me këto vende, atëherë mund të themi se këto kriza reflektohen në një shkallë jo të madhe në Kosovë.
“Sa i përket Kosovës, është një fat dhe fatkeqësi që Kosova nuk ka marrëdhënie të mëdha tregtare, financiare dhe kontraktuale me vendet e Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye, krizat që ndodhin në BE, nuk kanë ndikime të mëdha edhe në Kosovë”.
“Çdo krizë që ndodh atje, mund të ketë një ndikim në një mënyrë ose tjetrën, edhe në vendet partnere, mirëpo duke pasur parasysh se Kosova nuk ka marrëdhënie të ngushta afariste me këto vende, atëherë mund të themi se këto kriza reflektohen në një shkallë jo të madhe edhe në Kosovë”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Vlen të theksohet se kur në vitin 2010-2011, në Bashkimin Evropian kishe një recesion diku minus 1 për qind, Kosova ato dy vite pati rritje ekonomike tre deri në katër për qind.
Kjo, sipas ekspertëve, tregon se kriza financiare në Bashkimin Evropian nuk ndikoi në frenimin e zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe kjo ndodh pikërisht për shkak të marrëdhënieve jo të zgjeruara të Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian.
Sidoqoftë, ndikimet e para që mund të ndiejë Kosova nga kriza financiare në vendet e BE-së, mund të jenë në disa fusha, në veçanti tek investimet e huaja. Çdo krizë që ndodh në Bashkimin Evropian, shton Gashi, dekurajon investitorët.
“Ndikimi i parë do të jetë në tkurrjen e investimeve të jashtme, mund të ketë ndikim te ngritja e çmimeve të importit të produkteve që ne i importojmë nga Bashkimi Evropian, pastaj mund të ndikojë në dekurajimin e eksporteve të Kosovës. Mund të ketë edhe ndikime negative në rast të privatizimeve të mëdha që mund të përballet Kosova, siç është sektori i telekomit dhe investimet në energjetike apo në fusha tjera”, thekson Gashi.
Ndërkohë, për ekspertin e çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, kjo krizë financiare që ka prekur disa vende të BE- së, më shumë reflekton si një frikë apo dyshim rreth së ardhmes së Kosovës dhe asaj evropiane, sesa asaj që ka reflektim të drejtpërdrejtë.
“Kjo pse Kosova nuk është ndikuar aq ashpër është fakti se Kosova është një vend shumë i pazhvilluar me raporte të nivelit shumë të ulët në relacione me Evropën, apo me vendet e përfshira nga kriza. Nuk ka ndonjë investim apo ndonjë kapital që vjen prej atyre vendeve ku goditja e tyre mund të reflektojë në Kosovë”, thekson Rexhepi.
Zyrtarë të institucioneve të Kosovë vazhdimisht kanë theksuar se Kosova ka arritur të mbetet relativisht e mbrojtur nga kriza në eurozonë, për shkak të një lidhjeje të kufizuar financiare dhe tregtare me vendet që janë në krizë dhe si rezultat i prurjeve të fuqishme rrjedhëse dhe të kapitalit nga diaspora e Kosovës.
Ata, po ashtu, kishin thënë se ekonomia e Kosovës ka vazhduar të rritet me ritme të shëndetshme, ndër më të lartat në rajon.
Derisa, sa i përket sistemit bankar të Kosovës, ishte vlerësuar se është njëri nga sektorët, i cili në Kosovë ka performuar mirë dhe nuk është prekur nga kriza. (REL)