Përderisa situata po përkeqësohet në Barcelonë, drejtoresha për financa, Montserrat Font, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij për shkak të presionit të madh, pas 15 vjetëve në këtë pozitë te klubi katalonas.
Për momentin, gazeta spanjolle AS e cilëson Barcelonën si një bombë që po pret të shpërthejë. Kriza institucionale në klub vlerësohet si më e thellë sesa cilido skandal apo incident në botën e futbollit gjatë dekadës së fundit. E tashmë po vërehen pasojat e para të kësaj krize, transmeton Gazeta Express.
Revista javore katalonase El Triangle lajmëroi të mërkurën në mëngjes për dorëheqien e drejtoreshës së financave në klubin spanjoll, Montserrat Font. Ajo e morri këtë vendim shkaku i presionit të madh dhe mosmarrëveshjeve me eprorin e saj, Pancho Schroder.
Font nuk pajtohej me mënyrën se si Schroder i menaxhonte financat e klubit dhe me ndryshimet e fundit të cilat Schroder i kishte propozuar. Ajo i kundërshtonte fuqishëm disa nga ato plane dhe nuk pranonte t’i nënshkruante dokumentet për t’i bërë ato të vlefshme.
Në mes të shumë gjërave të tjera, Font nuk ishte pajtuar me vendimin e Barcelonës për ta rritur për 200 milionë euro buxhetin për shpenzime lidhur me rinovime në stadium dhe ndërtimin e qendrës stërvitore të re.
Për shkak të presionit të madh që kishte mbi vete, Font vendosi të japë dorëheqje dhe do të largohet nga kjo pozitë që nga 1 marsi. Ky lajm i ka lënë të pakënaqur shumë anëtarë të tjerë në klub, pasi që ajo shihej si njëra ndër zyrtaret më të vlefshme në klub, pasi që edhe ka qenë pjesë e Barcelonës që nga viti 2005.
Ky lajm vjen pas reagimit të Gerard Piques në Twitter, që sugjeroi se ai nuk është i kënaqur me presidentin Josep Maria Bartomeu për shkak të skandalit me kompaninë I3Ventures.