Kriza nga Coronavirusi mund të çojë 2.5 milionë vajza drejt martesës së hershme

Prishtinë | 01 Tet 2020 | 20:10 | Nga Ekonomia Online

Deri në 2.5 milionë më shumë vajza të mitura janë në rrezik të martesës së detyrueshme në pesë vitet e ardhshme si rezultat i ndikimit të COVID-19, sipas një raporti nga Save the Children.

Organizata parashikon rritjen më të keqe të shkallës së fëmijëve të martuar, në 25 vjet, teksa pandemia ka mbyllur shkollat dhe ka shtyrë familjet e varfra në varfëri edhe më të skajshme, raporton The Guardian.

Sipas raportit “Global Girlhood 2020: hoë Covid-19 is putting progres in peril”, gjysmë milion më shumë vajza do të shtyhen në martesa të aranzhuara vetëm këtë vit, duke përmbysur më shumë se dy dekada progres që kishte filluar ta vinte në rënie këtë dukuri në botë, transmeton KOHA. Do ta çojë totalin e fëmijëve të martuar në rreth 12.5 milionë në vitin 2020.

Raporti paralajmëron se viti 2020 do të jetë vit për frenim të pakthyeshëm dhe progres të humbur për vajzat. Përreth botës, mbyllja e shkollave ka ndërprerë mësimin për 1.6 miliardë fëmijë, teksa Save The Children vlerëson se 10 milionë fëmijë, shumica prej tyre vajza, nuk do të kthehen asnjëherë në shkollë.

Raporti po ashtu parashikon se një milion më shumë vajza nën moshën 18-vjeç mund të mbesin shtatzëna këtë vit, duke rrezikuar jetën e tyre gjatë lindjes, e cila është një prej arsyeve kryesore të vdekjeve të vajzave 15-19 vjeç.

Rajoni më i ndikuar për shtyrjen e fëmijëve në martesë është jugu i Azisë, ku pothuajse 200,000 më shumë vajza pritet të detyrohen për martesë këtë vit për shkak të krizës ekonomike nga pandemia.

Shefi ekzekutiv i Save The Children, Kevin Ëatkins, ka thënë se një rritje e rrezikut për dhumë dhe shfrytëzim seksual kombinuar me pasiguritë ekonomike dhe për ushqim, nënkupton se shumë prindër ndjehen se kanë pak alternativa, përveç se të detyrojnë vajzat e tyre të martohen me një burrë i cili në shumicën e rasteve është shumë më i vjetër.

“Këto martesa shkelin të drejtat e vajzave dhe i lënë ato në rrezik të lartë për depresion, dhunë për tërë jetën, paaftësi, madje edhe vdekje nga lindja”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme