Sa herë që një shtet përfshihet në kriza politike, që shoqërohen me pasiguri për të ardhmen, monedha e vendit është ajo që e pëson, duke u nënçmuar në raport me valutat kryesore.
Por në Shqipëri po ndodh e kundërta. Kriza politike, që ka mbërthyer vendin prej muajsh dhe që sa vjen e po bëhet më e fortë dhe pa rrugëdalje në horizont, nuk po ndikon monedhën vendase, po atë të përbashkët.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro zbriti këtë javë nën 122 lekë, për herë të parë që nga gushti I vitit 2008. Sot, një euro u këmbye me 121.98 lekë, me një rënie prej 0.02 lekësh në raport me ditën e mëparshme dhe duke u luhatur afër niveleve më të ulëta të 11 viteve.
Prej fillimit të muajit qershor, euro është nënçmuar me 0.65 lekë.
Aktorët e tregut pohojnë se krahas ofertës së shtuar të euros, një dukuri që po konstatohet prej rreth tre vitesh për shkak të prurjeve që vijnë nga aktivitetet informale dhe turizmit, një tjetër faktor që po ndikon në tendencën rënëse të monedhës së përbashkët është qarkullimi i dobët i lekut.
Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se paraja gjithsej, në prill ishte 1.27 trilionë lekë, duke shënuar rënie për tre muaj radhazi, me përjashtim të muajit janar. Tkurrja më e lartë ishte në prill, me 6 miliardë lekë.
Aktorët e tregut pohojnë se konsumi është i frenuar në pritje të zhvillimeve politike, sidomos kjo për blerjet e mëdha, ndërsa dhe bizneset kanë lënë në pritje planet e tyre për investime.