Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatarin nuk do të zgjidhë problemet të cilat janë shfaqur në skenën politike.
Një i tillë është edhe mospërcaktimi i afatit brenda të cilit partia e parë duhet t’i përgjigjet kërkesës së presidentit për emrin e kandidatit për kryeministër.
Sipas njohësve të Kushtetutës, Gjykata nuk mund të interpretojë diçka që nuk është e shkruar në aktin më të lartë juridik, si çështja e afatit.
Vigan Qorrolli thotë se Gjykata nuk mund të caktojë periudhën kohore kur një parti duhet t’i përgjigjet kreut të shtetit, raporton KOHA.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës sipas sistemit që e ndjek Republika jonë ushtron juridiksion ekskluziv të sistemit të centralizuar të rishikimit kushtetues, dhe kjo nënkupton se ajo nuk mund të interpretojë norma të paqena (inekzistente). Kushtetuta është e heshtur për afatin e përgjigjes dhe Gjykata nuk mundet me aktgjykim ta tejkalojë normën kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk mund ta përcaktojë afatin në asnjë mënyrë, sepse Kushtetuta nuk është Kod Penal të sanksionojë afate brenda të cilave palët duhet t`i kryejnë obligimet e tyre ndaj ligjit”, thotë Qorrolli.
Sipas tij, kjo heshtje kushtetuese tejkalohet përmes konsensusit politik.
“Partia fituese e zgjedhjeve, sipas praktikës parlamentare dhe rregullave të demokracisë brenda një periudhe të arsyeshme kohore duhet t`ia paraqesë kandidatin presidentit të Republikës. Afati i arsyeshëm kohor, sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg, definohet ajo kohë e cila është mjaft e nevojshme, e përshtatshme, për të bërë gjithçka që kërkohet të bëhet, sa më shpejt që rrethanat e lejojnë. As nuk mund të jetë 10 ditë, por as 10 muaj”, shton ai.
Në anën tjetër, nga Lëvizja Vetëvendosje, janë të bindur se Kushtetuesja do të vendosë të favor të tyre.
Mosdërgimin e emrit të kandidatit të ri për kryeministër nga Vetëvendosje pas disa kërkesave, presidenti Hashim Thaçi e cilësoi refuzim, duke kërkuar nga LDK-ja emrin e mandatarit.