Për herë të parë, ushtria e Shteteve të Bashkuara do të ofrojë bonus maksimal prej 50.000 dollarësh për rekrutët me aftësi të larta që vendosin të qëndrojnë në ushtri për të paktën gjashtë vjet, ka marrë vesh agjencia “Associated Press”, pasi autoritetet po kanë vështirësi për t’i joshur ushtarët që të angazhohen në vende kritike pune gjatë pandemisë.
Gjeneral Major Kevin Vereen, komandant i Komandës Ushtarake të Rekrutimit, i tha agjencisë “AP” se mbyllja e shkollave dhe tregu i punës me konkurrencë të lartë gjatë vitit të kaluar kanë paraqitur sfida të konsiderueshme për rekrutët. Prandaj, duke hyrë në muajt më të vështirë të vitit për rekrutim, ushtria amerikane po shpreson se të hollat shtesë dhe disa ndryshime të tjera do t’i joshin të rinjtë e kualifikuar për t’u paraqitur për regjistrim.
Dy vjet pandemi e kanë vështirësuar procesin e rekrutimit në shkolla dhe në organizime publike dhe konkurrenca për punëtorë cilësorë është sthuar, pasi të rinjtë po i peshojnë opsionet, shkruan “Associated Press”.
Për t’i joshur rekrutët e rinj, ata që nënshkruajnë për qëndrim 6-vjeçar në njërën nga fushat e karrierës me kërkesë të lartë mund të marrin bonuse që gjithsej arrijnë deri në shumën e 50.000 dollarëve. Duke i marrë parasysh kriteret e vështira, për shumë të rinj do të jetë e vështirë që të futen në listë për bonusin më të lartë.
Shifra përfundimtare e bonuseve varet në atë nëse rekruti pranon që të zhvendoset për trajnime, nëse ka shkathtësi vendimtare dhe nëse vendos që të zgjedh detyra në repartet e forcave ajrore dhe kalorësisë.
Shifrën maksimale shpesh mund ta arrijnë edhe ata që angazhohen në fushën e mbrojtjes anti-raketore, në forca speciale, në inteligjencën e shenjave dhe si specialistë për kontrollimin e zjarrit. Kërkohen edhe analistë të inteligjencës, specialistë mjekësorë të fushëbetejave, policë ushtarakë, inxhinierë të fushëbetejave dhe pozita të tjera. Deri më tani, ushtria amerikane ka ofruar bonus maksimal prej 40.000 dollarësh.
Associated Press / Përktheu: Nasuf Abdyli