Kroacia do të shtojë numrin e ushtarëve në KFOR

Prishtinë | 07 Kor 2026 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Kroacia do ta rrisë numrin e ushtarëve pjesëmarrës në Misionin e NATO-s në Kosovë – KFOR, ka konfirmuar në Ankara ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq.

Ministri kroat Anushiq i bëri këto deklarata gjatë Samitit të NATO-s në kryeqytetin turk, Ankara, shkruan Anadolu.

“Planifikojmë të rrisim numrin e ushtarëve kroatë në 200, aq sa lejon vendimi i Saborit (Kuvendit të Kroacisë)”, ka thënë Anushiq.

Kroacia në kuadër të KFOR-it aktualisht ka rreth 130 trupa.

Anushiq, sipas mediave kroate, ka thënë se ky plan i Kroacisë vjen në kohën kur po mendohet për zvogëlimin e numrit të përgjithshëm të ushtarëve në KFOR.

Sipas tij, planifikimi për të rritur numrin e ushtarëve në Kosovë në këtë mision dëshmon se Kroacia e konsideron stabilitetin në Evropën Juglindore si një çështje kyçe të sigurisë.

“Unë gjithmonë nënvizoj rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën që NATO të jetë fuqishëm e pranishme në atë hapësirë”, ka thënë Anushiq.

Disa javë më parë, NATO-ja njoftoi se do ta zvogëlojë praninë e trupave në Misionin e KFOR-it si rezultat i përmirësimit të situatës së përgjithshme të sigurisë në Kosovë. Rritja e pranisë së NATO-s kishte ndodhur pas dhunës që kishte shpërthyer në vitin 2023 në veri të Kosovës.

Të ngjashme