Kroacia ka nisur të mërkurën fushatën e gjerë të vaksinimit kundër koronavirusit dhe të parët në listë janë përfshirë të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Më shumë se 1 mijë e 500 kroatë janë thirrur për vaksinim në Zagreb, vetëm gjatë së mërkurës.
Deri më tani, Kroacia ka vaksinuar 326 mijë persona me vetëm një dozë, ndërkaq të dy dozat e nevojshme i kanë marrë të paktën 100 mijë të tjerë.
Përshpejtimi i fushatës së vaksinimit është bërë si pasojë e ngritjes së theksueshme të numrit të rasteve me koronavirus gjatë javëve të fundit.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në këtë shtet ballkanik janë regjistruar 1 mijë e 600 raste të reja dhe 36 të vdekur.
Që prej fillimit të pandemisë, Kroacia ka konfirmuar 282 mijë të infektuar dhe 6 mijë të vdekur nga koronavirusi.