Pas rekordit me raste ditore me Covid-19, Kroacia të premten vendosi që t’i ashpërsojë masat për luftimin e përhapjes së virusit, përfshirë përdorimin e detyrueshëm të certifikatave digjitale për punëtorët e sektorit publik.
Kroacia regjistroi 6.932 raste të reja me Covid-19 të premten, që është shifra më e madhe që nga fillimi i pandemisë. Pak më shumë se gjysma e rreth katër milionë kroatëve janë vaksinuar plotësisht. Ekspertët e fajësojnë shkallën e ulët të vaksinimit për rritjen e numrit të infeksioneve në javët e fundit.
“Për ta parandaluar përhapjen e sëmundjes, duhet që ta kufizojmë numrin e njerëzve që mund të tubohen në hapësira të mbyllura, ta rrisim numrin e personave të vaksinuar dhe ta rrisim sigurinë gjatë bërjes së biznesit”, tha ministri kroat i Punëve të Brendshme, Davor Bozinoviq.
Numri i personave që mund të grumbullohen në një hapësirë të mbyllur do të zvogëlohet nga 100 në 50, përpos rasteve kur kanë certifikata digjitale që dëshmojnë se ata janë të vaksinuar, që kanë dalë negativë në testim ose që tashmë e kanë kaluar sëmundjen, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express. Të gjitha tubimet në hapësira të mbyllura duhet të përfundojnë në mesnatë.
Nga 15 nëntori, certifikatat digjitale do të jetë të detyrueshme për të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për shërbime në institucionet e sektorit publik. Deri më tani, ky kusht vlente vetëm për punëtorët shëndetësorë dhe për ata të kujdesit social.
“Nëse numri i infeksioneve vazhdon të rritet, nga 15 nëntori do të vendosim përdorim të certifikatave digjitale edhe për hyrje në kafene, restorante e qendra të ushtrimeve fizike”, tha Bozinoviq.
Ai shtoi se nga 4 janari i vitit 2022, nëse gjendja nuk përmirësohet, certifikatat digjitale do të jenë të vlefshme vetëm për personat e vaksinuar ose që e kanë kaluar sëmundjen. Tash për tash, certifikata digjitale vlen edhe për ata që kanë dalë negativë në testin për Covid-19. “Kjo periudhë është e mjaftueshme për ata që nuk e kanë marrë vaksinën që të bëjnë një gjë të tillë”, tha më tej ministri kroat.