Trupat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani, duke përmbushur zotimin e Presidentit Joe Biden për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës pas një evakuimi kaotik dhe të dhunshëm nga Kabuli, tha të hënën ushtria amerikane.
Në vazhdim është një kronologji e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara dhe zhvillimeve kryesore në Afganistan gjatë dy dekadave të fundit:
11 shtator 2001 – Përfshirja e Shteteve të Bashkuara në Afganistan shkaktohet nga sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara të planifikuara në Afganistan nga grupi militant i Al Kaedës, i udhëhequr nga Osama bin Laden, i cili ndodhej në Afganistan nën mbrojtjen e talebanëve.
7 tetor 2001 – Forcat amerikane fillojnë fushatën ajrore me sulme ndaj talebanëve dhe forcave të Al Kaidës. Një numër i vogël i forcave speciale amerikane dhe agjentëve të CIA-s u futën me shpejtësi në Afganistan për të ndihmuar në drejtimin e fushatës së bombardimeve dhe organizimin e forcave opozitare afgane. Megjithatë Talebanët do të rrëzoheshin shpejt , pa ndonjë dislokim të madh luftarak të Shteteve të Bashkuara në terren.
13 nëntor 2001 – Forcat e Aleancës Veriore të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara hyjnë në Kabul ndërsa talebanët tërhiqen në jug. Brenda një muaji, udhëheqësit talebanë kanë ikur nga Afganistani jugor për në Pakistan.
Dhjetor 2001 – Forcat amerikane bombardojnë kompleksin e shpellave Tora Bora në Afganistanin lindor, ku thuhet se është fshehur bin Ladeni, por ai arrin të kalojë kufirin me Pakistanin, ku ai zhduket.
2 maj 2003 – Zyrtarët amerikanë deklarojnë përfundimin e operacioneve të mëdha luftarake në Afganistan. Nën Presidentin George W. Bush, fokusi i Shteteve të Bashkuara orientohet ndaj përgatitjes për pushtimin e Irakut, që kërkoi një devijim të trupave amerikane, pajisjeve dhe operacioneve të zbulimit nga Afganistani. Kjo i mundësoi talebanëve të ribashkohen gradualisht, në fillim në jug dhe lindje.
2006-2008 – Me forcat amerikane që luftojnë kryesisht një fushatë të fortë në Irak, vetëm një kontigjent shumë më i vogël është vendosur në Afganistan. Talebanët nisin avancime të mëdha duke kërcënuar të rimarrin pjesë të mëdha të territorit, veçanërisht në jug. Në përgjigje, një mision i zgjeruar i NATO-s sjell mijëra forca të tjera, veçanërisht ushtarakë britanikë, qindra prej të cilëve vriten në beteja intensive kundër talebanëve në provincën Helmand.
17 shkurt 2009 – Ndërsa Uashingtoni po tërhiqet në Irak, Presidenti i sapo inauguruar Barak Obama vendos të rrisë praninë në Afganistan. Në vendimin e tij të parë madhor ushtarak si komandant i përgjithshëm, ai urdhëron dërgimin e 17’000 forcave të tjera luftarake për të përforcuar 38’000 forcat amerikane dhe 32’000 forca nga rreth 40 vende aleate të NATO-s tashmë në terren. Më vonë atë vit, me gjeneralët që rekomanduan një fushatë “të fortë” të ngjashme me atë të zhvilluar në Irak në 2006-2007, Obama do të urdhëronte një prani edhe më të madhe. Kontigjenti amerikan do të tejkalonte 100’000 deri në mesin e vitit 2010, duke kryer operacione të gjera kundër rebelëve në të gjithë vendin.
1 maj 2011 – Bin Ladeni vritet në një sulm të forcave amerikane në Pakistan.
Dhjetor 2011 – Zyrtarët amerikanë thonë se diplomatët amerikanë kanë mbajtur gati dymbëdhjetë takime sekrete me talebanë afganë gjatë 10 muajve të mëparshëm, kryesisht në Gjermani dhe Katar.
27 maj 2014 – Pas fushatës në rritje të mandatit të parë të ish-Presidentit Obama, Uashingtoni tërheq shpejt forcat e tij dhe e kalon theksin tek trajnimi dhe mbështetja e ushtrisë afgane. Obama paraqet një plan për t’i tërhequr të gjithë deri në fund të vitit, përveç 9’800 forcave amerikane që do të tërhiqen deri në fund të vitit 2016.
28 dhjetor 2014 – Misioni luftarak amerikan përfundoi zyrtarisht pas tërheqjes së shumicës së forcave luftarake dhe kalimit në një luftë “të udhëhequr nga Afganistani”.
21 gusht 2017 – Presidenti amerikan Donald Trump shpall strategjinë e tij, duke bërë thirrje për një dislokim të vogël dhe pa afat të caktuar të forcave amerikane që ofrojnë mbështetje për afganët, me qëllimin që t’i detyrojnë talebanët të negociojnë për paqen me qeverinë e Kabulit.
29 shkurt 2020 – Nën ish-Presidentin Trump, Uashingtoni nënshkruan një marrëveshje me talebanët në Doha për të tërhequr të gjitha forcat amerikane. Talebanët bien dakord të ndalin sulmet ndaj forcave amerikane, të mos lejojnë që territori i tyre të përdoret për terrorizëm dhe të zhvillojnë bisedime me qeverinë afgane, edhe pse ato bisedime më pas do të rezultojnë të pafrytshme.
14 prill 2021 – Presidenti Biden njofton se forcat amerikane do të tërhiqen pa kushte deri më 11 shtator, duke zbatuar marrëveshjen e arritur me talebanët nga paraardhësi i tij, ish-Presidenti Trump.
2 korrik 2021 – Trupat amerikane tërhiqen papritmas nga baza e tyre kryesore në aeroportin e Bagramit 60 km në veri të Kabulit.
15 gusht 2021 – Pas një avancimi tronditës njëjavor duke kapur qytete në mbarë vendin, talebanët kapin Kabulin pa luftë. Presidenti Ashraf Ghani largohet nga vendi. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë nisin një operacion transportimi urgjent ajror nga aeroporti i Kabulit për të nxjerrë qytetarët e tyre dhe dhjetëra mijëra afganë që i ndihmuan.
26 gusht 2021 – Shteti Islamik fillon një sulm vetëvrasës me bombë ndaj portave të mbushura me njerëz të aeroportit të Kabulit, duke vrarë një numër civilësh dhe 13 ushtarakë amerikanë, incidenti më vdekjeprurës ky për forcat amerikane në Afganistan në më shumë se një dekadë.
30 gusht 2021 – Gjenerali amerikan Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, njofton përfundimin e tërheqjes së forcave amerikane. /VOA/