Toni Kroos thotë se ka pasur shumë oferta për t’u larguar nga Real Madridi, por vazhdon t’i hedhë poshtë ato sepse ka për qëllim ta përfundojë karrierën në Santiago Bernabeu.
Mesfushori 30-vjeçar ka hyrë në sezonin e shtatë në kryeqytetin spanjoll, ku i ka fituar 13 trofe të mëdhenj, përfshirë tre trofe të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.
Ka pasur thashetheme në muajt e fundit se Kroos do të kthehej në atdhe për t’i luajtur ditët e fundit të karrierës si futbollist.
Por ai thotë të mos jetë i interesuar të kthehet në Gjermani tani për tani dhe planifikon të pensionohet në Real Madrid.
“Gjithmonë më pëlqen të kthehet në Gjermani sepse është vendi im dhe gjuha ime. Por unë e shijoj jetën në Madrid vërtet shumë dhe më pëlqen të luaj për Real Madridin”, tha Kroos.
“Kam pasur oferta, por kurrë nuk kam folur me klubet e tjera sepse synoj ta përfundoj karrierën në Real Madrid”, nënvizoi ai.