Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU “Gjakova” njofton të gjithë konsumatorët se ka ndërmarrë të gjitha masat për të kryer punët normalisht ndonëse me staf të reduktuar dhe duke zbatuar vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Në një njoftim për shtyp të kësaj kompanie, demantohen disa spekulime se përhapja e Coronavirusit mund të infektojë ujin, raporton Ekonomia Online.
Në njoftim thuhet se nga takime të afërta që kryeshefi ekzekutiv, Ismet Ahmeti , ka pasur me organet kompetente qeveritare, shpërndarja e virusit nuk ndikon në cilësinë e ujit. Këto dezinformata që po shpërndahen kanë sjellë panik te qytetarët.
“Impianti i prodhimit të ujit dhe analizat laboratorike do të jenë në funksion maksimal, andaj nuk ka vend për shqetësim”, thuhet në komunikatën për medie.
“Ekipet e lexuesve janë, po ashtu, duke vazhduar punën në terren, duke bërë leximin e rregullt të ujëmatësve, ndërkohë që konsumatorët mund të kryejnë pagesat tek arkat mobile, gjë e cila vlen për gjithë zonën operative Gjakovë, Rahovec dhe Prizren”.
Konsumatorët mund të drejtohen edhe në drejtorinë kryesore në Gjakovë për çfarëdo lloj shërbimi që iu nevojitet.
“Ne vazhdojmë të sjellim te ju edhe në këtë situate të pazakontë ujë cilësor dhe shërbime korrekte”.
KRU Gjakova falënderon konsumatorët për bashkëpunimin dhe beson se së bashku suksesshëm do të tejkalohet gjendja e krijuar si pasojë e Coronavirusit.