Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” u ka bërë thirrje qytetarëve të mos hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit.
Në njoftimin e KRUP thuhet se ekipet e tyre kanë punuar në shumë raste të pastrimit të pusetave që janë mbushur nga gjësende që kanë bllokuar rrjetin e kanalizimit.
“Përveç që duhet intervenuar me doemos në sistemin e rrjetit të ujërave të zeza, zhbllokime e pastrime, vështirësitë që hasin ekipet e mirëmbajtjes janë të panumërta, sa që pavarësisht suksesit në zgjidhjen e problemit në kolektorë e puseta, koha e zhbllokimit tej zgjatet”.
“Po ashtu, arsyet janë të panumërta filluar nga papërgjegjësia e faktorit njeri, hedhja e gjësendeve të ngurta e të lëngëta, peshat e rënda me mbeturina të ngurta, etj. Rasti konkret ka qenë gjatë ditës së sotme në rrugën ” Bulevardi i Dëshmorëve” në Prishtinë. Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit pastruan dhe zhbllokuan aty, të gjitha pusetat. Ju lumtë dhe faleminderit që jeni pjesë e jona, derisa apelojmë për kujdes shumë të shtuar me sistemin e rrjetit të kanalizimit!”,thuhet në njoftimin e KRUP.