Elton Arbana kryebashkiaku i ri i Shijakut në javën e parë pas marrjes së detyrës ka përveshur mëngët duke iu bashkuar pastrimit të rrugëve dhe varrezave të qytetit.
“Dëshiroj me gjithë zemër të jap më të mirën time për ju. Puna ime do të jetë pa përjashtim, për të gjithë ju që mendoni se së bashku mund ta bëjmë Shijakun qytetin që duam”.
Këto kanë qenë disa nga fjalët që ka shprehur Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana gjatë betimit të tij si kryebashkiak.
Ndërkohë, puna e parë me të cilën ai ka nisur mandatin e tij katër vjeçar është mirëmbajtja e HAPËSIRAVE PUBLIKE.
Sipas Arbanës është e rëndësishme të ndërgjegjësojmë komunitetin për ruajtjen e këtyre hapësirave që nga qytetarët më të vegjël: fëmijët e deri te të rriturit.
Në qytetin e Shijakut sot është ndërmarrë një aksion pastrimi, i mbështetur nga punonjësit e Bashkisë. Aksioni filloi me pastrimin e varrezave dhe më pas vijoi me pastrimin e rrugëve, trotuareve.
Kryebashkiaku Elton Arbana ishte vetë i pranishëm në këtë fushatë pastrimi dhe sensibilizimi së bashku me grupin e punës. Aksioni për pastrimin e qytetit do të vijojë.
Gjithashtu, po realizohet një premtim elektoral: pastrimi i varrezave, një shërbim i domosdoshëm që i bëhet njerëzve që nuk jetojnë më pranë nesh fizikisht e që janë në zemrat tona gjithë jetën.
Kryebashkiaku i Shijakut ka thënë se njerëzit kanë nevojë që ne t’i rrisim cilësinë e shërbimeve të përditshme të tyre. Duhet krijuar një frymë pozitive në komunitet për të bashkëpunuar.