Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim të përbashkët, ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Nataliya Apostolova.
Kryeministri Haradinaj gjatë takimit ka informuar ambasadorët dhe shefen e Zyrës së BE-së lidhur me angazhimin e Qeverisë për sundim të rendit dhe ligjit në veri, si dhe veprimet e ndërmarra për furnizim të qytetarëve të asaj ane me artikuj të nevojshëm.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës mbron qytetarët në veri, duke hapur pikat shitëse në bashkëpunim me bizneset kosovare.
“Në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit në Republikën e Kosovës dhe pas konsultave me të gjitha institucionet përkatëse, kemi organizuar hapjen e pikave të përkohshme shitëse me pakicë në veriun e vendit”, ka thënë kryeministri në këtë takim, duke shtuar se Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim.