Kryeministri holandez akuzohet për gënjeshtër, i shpëton për pak mocionit të mosbesimit

Prishtinë | 02 Pri 2021 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Gjasat e kryeministrit holandez, Mark Rutte, për formimin e një qeverie të re morën goditje të rëndë të premten, pasi kuvendi miratoi një mocion formal të mosbesimit, duke thënë se ai nuk e ka treguar të vërtetën rreth deklaratave të bëra gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë.

Megjithatë, ligjvënësit për pak dështuar që ta kalojnë mocionin e mosbesimit, i cili do ta detyronte Rutten që të jepte dorëheqje, shkruan Reuters.

“Kuvendi më ka dhënë një mesazh serioz dhe do ta jap më të mirën time për ta rikthyer besimin”, tha Rutte para gazetarëve pas debatit. Nuk është e qartë se kur dhe në çfarë forme do të vazhdojnë bisedimet për formimin e qeverisë.

Rutte ishte fitues i qartë i zgjedhjeve parlamentare të 17 marsit, të cilat u vlerësuan si referendum për punën e tij rreth menaxhimit të situatës me pandeminë.

Sigrid Kaag, kryetare e partisë së dytë më të madhe në kuvend, tha se ajo nuk është e sigurt nëse tani do të ketë vullnet për t’iu bashkuar qeverisë së re me Rutten kryeministër.

“Po të isha në vendin e tij, nuk do të vazhdoja”, tha ajo, kur u pyet për pozicionin e Ruttes.

Kriza u shkaktua të enjten, pasi Rutte pranoi se ka diskutuar privatisht për atë se çfarë posti duhet t’i jepet një anëtari të njohur të kuvendit, i cili kishte kritika për kabinetin e kaluar qeveritar. Më parë, Rutte kishte thënë se nuk ka bërë një gjë të tillë.

Të ngjashme