Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitave që është duke u bërë bizneseve private, për të prezantuar pakon për rimëkëmbje ekonomike të Qeverisë së Kosovës, i shoqëruar nga ministrat Blerim Kuçi dhe Vesel Krasniqi, ka vizituar sot ndërmarrjen Ferronikeli, ku është pritur nga presidenti i Grupit Balfin, Samir Mane, me bashkëpunëtorë. Në takim i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Kryeministri Hoti tha se gjatë kësaj vizite është biseduar për mbarëvajtjen e punëve në këtë kompani që është e rëndësisë strategjike për Kosovën, për shkak të nivelit të lartë të eksporteve që ka komplet në gjithë prodhimin e saj.
“Bashkë me ministrat dhe kryetarin e Komunës, biseduam në detaje për disa prej çështjeve që ne mund të adresojmë, të ndihmojmë këtë kompani, duke filluar nga renta minerare dhe një mbështetje që duhet t’i japim për të liruar një pjesë të minierave për të shfrytëzuar për kompaninë. Sigurisht afarizmi i kompanisë varet nga tregu ndërkombëtar, nga çmimi i produktit në berzën ndërkombëtare dhe duke pasur parasysh përvojën që z. Mane ka, unë besoj që mund të depërtojë në tregje tjera”, tha kryeministri Hoti.
Më tej, kryeministri Hoti theksoi se sa i përket qeverisë, bashkë me pushtetin lokal, do ta ketë gjithë mbështetjen e nevojshme brenda ligjeve, brenda kornizës ligjore që na lejon për ta mbështetur këtë kompani edhe në kushte normale të funksionimit, por në veçanti tash kur gjithë ekonomia në Kosovë dhe në regjion po përballet me vështirësi.
“Besoj se në javët e ardhshme, si pjesë e Pakos për rimëkëmbje ekonomike do ta adresojmë çështjen e rentës minerare. Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit do të angazhohet bashkë me ZRRE-në sa i përket çmimit të energjisë elektrike, duke shfrytëzuar gjithë kornizën ligjore në fuqi që t’i jepet mbështetja e nevojshme kësaj kompanie”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se janë të nderuar me këtë investitor të rëndësishëm dhe të suksesshëm në tregjet ndërkombëtare, i cili ka zgjedhur të operojë edhe në Kosovë.
Presidenti i Grupit Balfin, Samir Mane, pasi falënderoi kryeministrin Hoti për vizitën, tha se koha nuk është më e mira për Ferronikelin, por theksoi se do të bëjnë atë që u takon për të depërtuar në tregun ndërkombëtar. Ai tha se do të ishte mirënjohës që problemet e ngritura sot të adresohen aty ku duhet, siç duhet dhe në kohën e duhur.