Kryeministri Hoti premton mbështetjen e Qeverisë për zhvillimin e Dragashit

Prishtinë | 02 Gus 2020 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitave që po u bën komunave të vendit, sot ka vizituar Komunën e Dragashit.


I shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, ministrat Arban Abrashi, Vesel Krasniqi dhe Besian Mustafa, kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, deputetë të zonës, si dhe përfaqësues institucional të nivelit qendror dhe lokal, kryeministri Hoti fillimisht ka inspektuar punimet në rrugën Zhur-Dragash.


Kryeministri Hoti tha se kjo rrugë është e rëndësisë nacionale, një projekt me dy lote që shkon afër 7 milionë euro. “Ka pasur mjaft vonesa, disa teknike e disa procedurale, por besoj që ministri është duke u kujdesur që të rritet dinamika dhe të përmbyllet ky projekt në afat optimal”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se rruga është e rëndësisë së veçantë, sepse lidh tërë këtë trevë edhe për çështje të turizmit edhe të blegtorisë, por edhe për lidhje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Më tej kryeministri Hoti tha se kjo infrastrukturë kompleton tërë kushtet e nevojshme që të zhvillohet më mirë turizmi dhe të lehtësohet jeta e qytetarëve.

“Dragashi ka një diasporë të fuqishme të komuniteteve të ndryshme dhe besoj që kjo rrugë ndihmon në këtë drejtim”, tha kryeministri Hoti.

Më pas kryeministri Hoti ka vazhduar vizitën në fabrikën për përpunimin e mishit “MEKA”, ku është pritur nga pronari Burim Piraj, i cili e ka njoftuar kryeministrin për sukseset dhe sfidat që ka kjo kompani.


Kryeministri Hoti e ka përgëzuar pronarin Piraj për “biznesin e shëndoshë dhe me standardet më të mira të cilësisë dhe të etikës në punë”.

Po ashtu, kryeministri Hoti tha se do të shihen mundësitë për ta ndihmuar këtë biznes edhe me Pakon për rimëkëmbje ekonomike, përmes së cilës do të lehtësohet marrja e kredive dhe financimi për bizneset.

Vizitën e radhës në Dragash, kryeministri e ka bërë në fermën “Qendra”, ku është pritur nga pronari Masar Piraj dhe fabrikën e tekstilit “Invers one” të pronarit Ezxhan Emini, të cilëve u ka premtuar se Qeveria do t’u qëndrojë afër, duke i mbështetur të gjitha bizneset në veprimtarinë e tyre.

Në fund të qëndrimit në Dragash, kryeministri Hoti zhvilloi një takim me fermerët e zonës së Gorës në fshatin Krushevë, të cilët kërkuan nga kryeministri mbështetje për investimet në këtë zonë, duke theksuar se turizmi malor dhe infrastruktura janë të domosdoshme për këtë rajon.

Ndërsa, kryeministri Hoti tha se qeveria do t’i mbështesë banorët e kësaj zone në zhvillimin e turizmit malor nëpërmjet subvencioneve dhe granteve, si dhe përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme.


Të ngjashme