Kryeministri i Bavarisë, Markus Soeder, u ka bërë thirrje tifozëve të Bayern Muenchenit që të mos udhëtojnë për të përcjellë nga afër ndeshjen e Superkupës së Evropës kundër Sevillas në Budapest këtë javë.
Sipas tij rrezikohet që kjo ngjarje të kthehet në një ngjarje të përhapjes masive të COVID-19, shkruan agjencia Reuters.
Bayerni do të përballet me Sevillan të enjten.
“Më dhemb barku kur mendoj për Superkupën e Evropës. Budapesti është zonë e rrezikut të lartë. Duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Soeder.
Soeder ka thënë se disa mijëra bavarezë do të udhëtojnë në Hungari dhe ata duhet të karantinohen me t’u kthyer në Gjermani. Hungaria është duke regjistruar rritje të rasteve me koronavirus.
“Apeli im është që të mendohet sërish dhe të shihet nëse vërtetë është e nevojshme. Superkupa është ndeshje emocionale, por nuk është më vendimtarja nga të gjitha”, ka shtuar Soeder.