Kryeministri i Etiopisë – nobelist i paqes – bën thirrje për sakrificë

Prishtinë | 06 Nën 2021 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Etiopia duhet të jetë e gatshme për të bërë sakrifica për ta shpëtuar vendin, tha të shtunën kryeministri i këtij shteti, Abiy Ahmed, që më 2019 e fitoi Çmimin Nobel për Paqe.

Deklarata e tij erdhi vetëm një ditë pasi nëntë grupe rebele thanë se do t’i bashkojnë forcat në një aleancë me Frontin Popullorë të Tigray-t për Çlirim, që po lufton kundër forcave qeveritare në pjesën veriore të vendit.

Përfaqësuesi i këtij grupi, Berhane Gebre-Christos, tha të premten se aleanca ka për qëllim që ta largojë “regjimin”, kur e nënshkroi marrëveshjen nëntëpalëshe në Uashington, shkruan France24, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri Abiy të shtunën në rrjete sociale shkroi: “Ka sakrifica për t’u bërë, por ato sakrifica do ta shpëtojnë Etiopinë. I kemi parë testet dhe pengesat dhe kjo na ka bërë më të fuqishëm. Ne kemi më shumë aleatë se njerëzit që na kanë kthyer shpinën.”

“Për ne, etiopianët, vdekja për sovranitetin, unitetin e identitetin tonë është nder. Nuk ka etiopianizëm pa sakrificë”, tha shërbimi i komunikimit i qeverisë etiopiane.

Qeveria e Etiopisë të martën shpalli gjendje emergjente kombëtare, por ka mohuar se rebelët kanë bërë ndonjë avancim ose kërcënim të konsiderueshëm ndaj kryeqytetit, duke u zotuar se do të vazhdojë drejt fitores në atë që e quajti “luftë për ekzistencë”.

Zëdhënësja qeveritare, Billene Seyoum, të premten i akuzoi rebelët për “përhapje të një narracioni alarmues, që po krijon shumë tension mes komuniteteve të ndryshme, përfshirë komunitetin ndërkombëtar”.

Të ngjashme