Kryeministri i Lituanisë: Kemi plane evakuimi, në rast përshkallëzimi do të kundërpërgjigjemi

Prishtinë | 22 Sht 2026 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Lituanisë, Mindaugas Sinkevicius, ka deklaruar se vendi i tij ka hartuar plane evakuimi për skenarë të ndryshëm të një përshkallëzimi të situatës së sigurisë, përfshirë një sulm të mundshëm nga Rusia.

Në një intervistë për BBC-në, Sinkevicius tha se qytetarët lituanezë ndihen “vazhdimisht të kërcënuar” nga Rusia, ndërsa përmendi edhe rastet e dronëve që kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ai theksoi se, në rast të një sulmi, Lituania nuk do të dorëzohej.

“Ne do të kundërpërgjigjemi… do të angazhohemi”, tha kryeministri, duke nënvizuar se vendi po përgatitet për një sërë skenarësh të mundshëm.

Sipas tij, një prej planeve parashikon edhe evakuimin e qytetarëve, veçanërisht të të moshuarve, nga qytetet në mënyrë të organizuar dhe pa krijuar bllokime të mëdha në trafik.

“Po mendojmë për një sërë skenarësh. Jo të gjithë po diskutohen shumë publikisht”, deklaroi Sinkevicius.

“Përballemi me kërcënime konkrete. Jo çdo ditë, por po i përjetojmë dhe kjo është një realitet i vërtetë për ne”, shtoi ai.

Lituania është anëtare e NATO-s dhe ndan kufi tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit, duke e bërë vendin një nga shtetet e aleancës që ndodhet më pranë territorit rus.

Kryeministri lituanez tha gjithashtu se Britania e Madhe duhet të ndryshojë qasjen e saj ndaj mbrojtjes dhe të ketë një “ndryshim në mentalitet”, megjithëse pranoi se pozita gjeografike e Lituanisë e vendos atë shumë më pranë kërcënimit.

Deklaratat e tij vijnë vetëm një javë pasi avionë luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë.

Të ngjashme