Procesi i Brexit-it, apo i daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, është shndërruar në “makth”, tha kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, pas takimit me kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Bettel tha se Johnson ka dështuar të paraqesë ndonjë plan serioz, që do të mundësonte Brexit-in me marrëveshje me BE-në, më 31 tetor.
Por, Johnson, i cili e anuloi konferencën për media për shkak të zhurmës së protestuesve në Luksemburg, tha se “është bërë shumë punë” dhe se “letrat janë shpërndarë”.
Bettel, në anën tjetër, tha se “zgjidhja e vetme” është marrëveshja ekzistuese për Brexit-in.
Kjo marrëveshje është arritur vitin e kaluar nga paraardhësja e Johnsonit, Theresa May, por ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik, kryesisht për shkak të politikave që parashihte në kufirin me Irlandën.
Data për Brexit është shtyrë dy herë. Johnson këmbëngul tani se Brexit-i do të ndodhë më 31 tetor, me ose pa marrëveshje me BE-në.
Bettel tha se, për momentin, nuk ka “propozime konkrete në tryezë” nga Britania e Madhe dhe shtoi se BE-së “i duhen më shumë sesa fjalë”.
“Ne kemi nevojë për propozime të shkruara dhe koha po kalon. Kështu që ndaloni së foluri dhe veproni”, tha Bettel.
Institucionet financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse e lë BE-në pa marrëveshje.
Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit-in në një referendum të mbajtur në vitin 2016.