Kryeministri i ri kanadez, Mark Carney, ka thënë të hënën se dëshiron të sigurojë që vendi i tij të punojë me Francën dhe pjesën tjetër të Europës për të ruajtur “marrëdhëniet më pozitive të mundshme” me Shtetet e Bashkuara.
Teksa po fliste në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris, Carney ka thënë se Kanadaja është “vendi më europian nga vendet jo-europiane”, dhe se ajo është “një partner i besueshëm dhe i fortë i Francës”, raporton AP.
Carney ka mbërritur në Paris të hënën për t’u takuar me Macron, duke kërkuar mbështetje nga një prej aleatëve më të vjetër të Kanadasë, teksa presidenti i SHBA-së, Donald Trump vazhdon të sulmojë sovranitetin dhe ekonominë e Kanadasë.
Ky është udhëtimi i parë zyrtar jashtë vendit i Carney që kur është betuar më 14 mars.
Ai do të zbarkojë më pas në Londër ku do të takohet me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer dhe mbretin Charles III.