Kryeministri ukrainas, Oleksiy Honcharuk, ia ka ofruar dorëheqjen për herë të dytë presidentit Volodymyr Zelenskiy, pasi mori vesh se mund të shkarkohet.
Një burim i tha agjencisë “Reuters” se kryeministri Honcharuk pritet të largohet nga posti, por nuk dha hollësi të tjera. As zyra e presidentit ukrainas nuk dha ndonjë koment në lidhje me këto raportime.
Ndërrimi i kryeministrit do të vinte në kohën kur besimi në qeverinë e Zelenskiy-t ka rënë prej kohës kur ish-aktori shënoi fitore befasuese në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Ai kishte premtuar se do t’i japë fund luftës në lindje të vendit dhe se do ta luftojë korrupsionin.
Javën e kaluar, kryeministri kishte mohuar se e ka dorëzuar dorëheqjen apo se e ka diskutuar këtë çështje me presidentin Zelenskiy, shkruan “Reuters”.
Ndryshe, vetëm 25 për qind e banorëve të Ukrainës mendojnë se qeveria ka qenë e suksesshme në zgjidhjen e konfliktit në Donbas, ndërsa në dhjetor kjo përqindje e qytetarëve ishte 40 për qind.