Roli i boshnjakëve në të gjitha proceset është historik dhe i palëkundur, prandaj sot, boshnjakët e Kosovës janë pjesë përbërëse e pandashme e shoqërisë sonë, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e shënimit të Ditës së Boshnjakëve.
Kryeministri Kurti tha se ndihet krenar që Republika e Kosovës është atdhe i boshnjakëve të cilët me vite kanë dhënë kontribut dhe angazhim në zhvillimin e vendit tonë, përkundër të gjitha sfidave në të kaluarën e nga e kaluara.
Komuniteti boshnjak, përveç si pjesë e peizazhit multietnik të Kosovës, siç theksoi kryeministri Kurti, mund të luaj rol të rëndësishëm si urë kryesore në mes të shtetit tonë dhe Bosnje e Hercegovinës, në heqje të vizave, qarkullim normal të njerëzve dhe të kapitalit, deri te njohja dhe ndërtimi i marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve, popujt e të cilave kanë patur fat të ngjashëm.
“Boshnjakët në këto hapësira, kanë arritur ta ruajnë identitetin e tyre unik, gjuhën e tyre, kulturën dhe traditën e tyre. Ata janë kategori kushtetuese dhe gjuha e tyre mund të përdoret si gjuhë zyrtare”, tha kryeministri Kurti.
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Redžepi, e falënderoi kryeministrin Kurti për besimin dhe mundësitë që u ka dhënë komunitetit boshnjak në Kosovë për të qenë të përfaqësuar deri në nivelet më të larta institucionale.
Ajo tha se komunitetet pakicë në Kosovë duhet t’i shfrytëzojnë këto mundësi për ruajtjen e vlerave kulturore, identitetin, gjuhën dhe kulturën.
“Në këtë ditë feste të përçojmë mesazhe paqeje për ne që jetojmë në Kosovë dhe që bashkërisht të angazhohemi për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë popujt në rajon’’, tha zëvendëskryeministrja Rexhepi.
Në shënimin e Ditës së Boshnjakëve ishin të pranishëm ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, zëvendës shefi i zëvendësshef i misionit të ambasadës franceze z. Cyprien Francois, ish zëvendës shefi i misionit të OSBE-së, z. Kilian Wahl, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës znj, Samra Ilijaz e të tjerë.