Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Sindromën Down, vizitoi Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët, “Xhemail Mustafa”, ku në orën e parë mësimore u fol për Sindromën Down.
I shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka shpallur vitin 2022 vit të personave me Aftësi të Kufizuara, sepse siç tha ai, besojmë që teksa kontribuojmë të gjithë për shtetin, më së pari e më së shumti duhet t’i ndihmojmë ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha.
‘’Si fëmijë kemi lindur me 46 kromozome në qelizë, dikush me 47. Nuk është faji i askujt por është përgjegjësia e të gjithë neve dhe duke pasur përgjegjësi shoqërore ose institucionale kemi edhe obligim, kemi edhe borxh ndaj këtyre personave’’, u shpreh kryeministri Kurti.
Pas disa performancave të nxënësve të kësaj shkolle, nxënësit i dhuruan punimet e tyre të bëra enkas për kryeministrin Kurti dhe ministren Nagavci.
Sot, veçoi më tej kryeministri, është dita, në të cilën njëfarë mënyrë pikëprehen arsimi dhe shëndetësia, sepse, siç vazhdoi ai, që të dyja janë të rëndësishme për fëmijët, derisa shprehu falënderim dhe mirënjohje për rolin, angazhimin dhe kontributin, që kanë bërë deri më sot e që po e bëjnë në vazhdimësi.
Më pas, kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci ndoqën nga afër zhvillimin e një ore mësimore, ku nxënësit kishin përgatitur edhe video vetëdijësuese, por edhe aktivitete të tjera lidhur me këtë ditë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Sindromën Down:
Jemi të gëzuar e të nderuar me mikpritjen tuaj në një ditë të rëndësishme për të gjithë neve.
Në njërën anë është dita e pranverës mirëpo në anën tjetër është gjithashtu edhe Dita Ndërkombëtare e Personave me Sindrom Down. Qeveria e Republikës së Kosovës e ka shpallur vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara sepse ne besojmë që teksa kontribuojmë të gjithë për shtetin, më së pari e më së shumti duhet t’i ndihmojmë ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha.
Ndërkaq, personat me aftësi të kufizuara janë ata që edhe obligohemi t’ju sigurojmë mundësi e kushte të barabarta, por gjithashtu edhe gjithëpërfshirje në shoqërinë tonë, pra nuk duhet të ketë të privilegjuar e të diskriminuar në shoqëri por duhet të jemi gjithëpërfshirës për të gjithë. Edhe këtu e kemi edhe Dionën, e cila është nxënëse në shkollën “Xhemail Mustafa” dhe për të cilën unë kam dëgjuar më herët.
Prandaj kur e takova i thashë ndoshta nuk më njeh mua, por unë të njoh ty. Në Kryeministri para se të vij edhe këtu kemi pritur edhe organizatën me udhëheqësen Sebahaten të personave me Down Sindrom dhe natyrisht që ndjeshmëria jonë ndaj atyre të cilët janë ndryshe, nuk e kanë pasur startin e njëjtë në jetë sikurse ne duhet të jetë më e larta.
Si fëmijë kemi lindur me 46 kromozome në qelizë, dikush me 47, nuk është faji i askujt por është përgjegjësia e të gjithë neve dhe duke pasur përgjegjësi shoqërore ose institucionale kemi edhe obligim, kemi edhe borxh ndaj këtyre personave. Në ditë të tjera kemi kategori të tjera të njerëzve me aftësi të kufizuara por sot është Dita Ndërkombëtare e Personave më Sindrom Down.
Do t’i ndihmojmë edhe prindërit e këtyre personave dhe gjithashtu kemi paraparë 100 asistentë shtesë në mënyrë që pabarazinë ta zbusim dhe të krijojmë kushte të njëjta për të gjithë. Në veçanti është me rëndësi që në klasat ku janë këta persona, ta ndjejnë vetën të mirëpritur dhe kurrsesi të mos e tolerojmë paragjykimin apo stigmatizimin e nxënësve.
Në fëmijëri të hershme kjo është vendimtare për jetën që i pret fëmijët pra të kenë ambient i cili është dashamirës dhe i cili i mirëpret ata sikurse çdonjërin fëmijë pa e diskriminuar, pa e stigmatizuar. Bashkë me mua është edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci.
Sot është dita, në të cilën njëfarë mënyrë pikëprehen arsimi dhe shëndetësia, sepse që të dyja janë të rëndësishme për fëmijët. Në fund, unë iu falënderoj nga zemra dhe u jam mirënjohës për rolin, angazhimin e kontributin, që e keni bërë deri më sot e që po e bëni në vazhdimësi, meqenëse, teksa zyrtarëve shtetërorë e politikanëve, kur bëjnë ndonjë kontribut, merret vesh edhe më shumë saqë duhet, roli e kontributi juaj, unë e di që përgjithësisht mbetet i pashfaqur, mirëpo atë ne e ndjejmë përditë, bashkërisht në përparimin e vendit tonë. Andaj, faleminderit edhe njëherë nga zemra për gjithçka çfarë keni bërë e po bëni.