Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e Kursit të Sigurisë Publike

Prishtinë | 30 Nën 2021 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në hapjen e Kursit të Sigurisë Publike të bashkëorganizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike.

“Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar të vazhdojmë të kontribuojmë për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme të rajonit dhe më gjerë”, tha ai.

Në këtë trajnim që organizohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes, diskutimit dhe shkëmbimit të përvojave mbi sfidat ndërkombëtare të sigurisë, po marrin pjesë zyrtarë policor nga mbi dhjetë shtete. 

Republika e Kosovës, si shtet i ri, që ndër të tjera shquhet për diversitetin e saj kulturor, etnik dhe fetar, me bukuritë e saj natyrore dhe mikpritjen e qytetarëve të saj – është shembull i gjallë i “unitetit në diversitet”, tha kryeministri.


Ndërsa Kosova rritet si shtet, ne vazhdimisht përpiqemi të shërbejmë si model për botën; si një vend ku komunitete dhe kultura të ndryshme jetojnë në paqe, pavarësisht nga një e kaluar e mbushur me luftëra dhe gjakderdhje, shtoi ai.

Kryeministri theksoi gatishmërinë dhe përkushtimin për të vazhduar të kontribuojmë për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme të rajonit dhe më gjerë, duke zgjeruar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë.

Pikërisht fakti që bota po ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit, fati i shoqërive tona dhe i vendeve tona e ka bërë botën tonë më të ndërlidhur dhe të ndërvarur se kurrë, tha kryeministri. Ai theksoi se në të njejtën kohë, kjo i ka bërë detyrat e policisë më komplekse dhe sfiduese.

Kryeministri potencoi se diplomacia e sotme duhet të mbështetet, më shumë se kurrë më parë, në parimet e paqes dhe demokracisë, stabilitetit dhe progresit, në mënyrë që të sigurojë një botë më të drejtë, të lirë të begatë të jetueshme.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në hapjen e Kursit të Sigurisë Publike:

Të nderuar të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj të gjithëve një mirëseardhje të ngrohtë në Kursin e Sigurisë Publike të bashkëorganizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Ky trajnim organizohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes, diskutimit dhe shkëmbimit të mendimeve mbi sfidat ndërkombëtare të sigurisë.

Më lejoni të falënderoj veçanërisht policët dhe policet, që kanë bërë udhëtime në distanca të gjata – nga Afrika, Azia Jugore dhe Amerika Latine – për të marrë pjesë në këtë ngjarje. Gjithashtu dëshiroj të përgëzoj Akademinë tonë Diplomatike dhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për organizimin e kësaj ngjarjeje.

Republika e Kosovës, si shtet i ri, që ndër të tjera, shquhet për diversitetin e saj kulturor, etnik dhe fetar, me bukuritë e saj natyrore dhe mikpritjen e qytetarëve të saj – është shembull i gjallë i “unitetit në diversitet”.

Gjatë qëndrimit tuaj do të keni mundësinë të flisni me përfaqësuesit tanë të policisë dhe qeverisë, dhe të vizitoni objektet historike dhe kulturore të vendit tonë. Prandaj, ju sugjeroj të shfrytëzoni sa më shumë këtë mundësi unike.

Të nderuar të ftuar,

Republika jonë, si shtet i ri, ka marrëdhënie të shkëlqyera me shumë vende të botës. Ne jemi tashmë anëtarë të Bankës Botërore, FMN-së, BERZH-it dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe lista vazhdon të zgjerohet. Ne kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian dhe po punojmë shumë për anëtarësimin në NATO.

Pavarësisht se Kosova ka një popullsi shumicë, mbi 90% shqiptarë, ne kemi zbatuar standardet më të larta për trajtimin e barabartë të minoriteteve dhe kemi arritur të krijojmë një infrastrukturë ligjore shumë pozitive, duke shërbyer si shembull i mirë për të gjithë rajonin dhe më gjerë. Ndërsa Kosova rritet si shtet, ne vazhdimisht përpiqemi të shërbejmë si model për botën; si një vend ku komunitete dhe kultura të ndryshme jetojnë në paqe, pavarësisht nga një e kaluar e mbushur me luftëra dhe gjakderdhje. Për më tepër, ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar të vazhdojmë të kontribuojmë për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme të rajonit dhe më gjerë. Ne vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin tonë të sigurisë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë.

Përhapja globale e pandemisë COVID-19, përveç sfidave shëndetësore dhe humanitare, solli në pah edhe sfidat globale të sigurisë. Me mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve tanë dhe me përpjekje të koordinuara ndërinstitucionale, ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të kapërcyer këtë sfidë globale, me sa më pak humbje. Në këtë drejtim, asnjëherë nuk ka munguar bashkëpunimi ynë me aleatët. Në ditët më të vështira të përballjes me COVID-19, ne kemi marrë mbështetje dhe solidaritet të konsiderueshëm nga vendet mike dhe partnere, si ShBA, BE dhe vende të tjera, për të cilat jemi jashtëzakonisht mirënjohës.

Evropa Juglindore, e quajtur më shumë politikisht sesa gjeografikisht Ballkan, ka ndryshuar në tridhjetë vitet e fundit. Muri ndarës ideologjik është kapërcyer. Asnjë nga vendet e rajonit tonë nuk preferon sistemin njëpartiak apo ekonominë e tregut të kontrolluar. Rreth 75 milionë qytetarë të rajonit janë bërë më mobil: duke lëvizur nga shteti në shtet, duke bërë biznes dhe duke kaluar pushimet në bregdet. Pesë vende të Evropës Juglindore tashmë janë pranuar në Bashkimin Evropian: Bullgaria, Greqia, Kroacia, Rumania dhe Sllovenia. 6 të mbeturit janë në rrugën e duhur për t’u integruar në BE: me status kandidat për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe kandidate potenciale Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën.

Por, pavarësisht kësaj tendence pozitive në Evropën Juglindore, ekziston një prirje tjetër që mund të shkaktojë lehtësisht një kthim në histori në Ballkan: nacionalizmi ekstrem, fundamentalizmi fetar dhe kthimi i ndikimit rus në rajon. Edhe pse në aspektin e sigurisë shumica dërrmuese e vendeve të rajonit janë anëtarësuar në NATO: Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia. Dhe Kosova ka një orientim të qartë pro NATO-s, ndërsa Serbia, fqinji ynë verior, nuk është e interesuar të anëtarësohet në NATO dhe preferon një aleancë ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Pak kohë më parë, Ushtria e Kosovës mori përsipër misionin e saj të parë ndërkombëtar, së bashku me aleatët e saj. Ky ishte një hap gjigant përpara, që tregon se Republika e Kosovës po ndërton kapacitetet e saj profesionale dhe tani është në gjendje të kontribuojë për paqen dhe sigurinë botërore.

Ne morëm pjesë si vend pritës në ndërmarrjen më të madhe ushtarake Defender Europe 21, e përbërë me 27 misione dhe morëm pjesë si vend pritës në mesin e 16 nga ato 27 vende, me 330 ushtarë të forcave tona të sigurisë.

Republika e Kosovës është pajtuar që të strehojë përkohësisht shtetasit afganë të rrezikuar, derisa ata të mund të zhvendosen përgjithmonë në vende të tjera. Ne si kosovarë e kemi ndjerë këtë situatë si një domosdoshmëri morale, pasi ajo, ndër të tjera, i ngjan gjendjes sonë të vështirë që kishim para pak më shumë se dy dekadash, kur mbi një milion njerëz nga Kosova u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u bënë refugjatë. Deri më tani, ne kemi strehuar gjithsej 1,341 shtetas afganë, prej të cilëve 650 janë ende me banim në Kosovë. 691 afganë tashmë janë zhvendosur në vende të tjera, si ShBA, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, Kanadaja, Belgjikë, Luksemburg, Finlandë dhe Suedi.

Pikërisht fakti që bota po ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit, fati i shoqërive tona dhe i vendeve tona e ka bërë botën tonë më të ndërlidhur dhe të ndërvarur se kurrë. Por në të njëjtën kohë, ajo i ka bërë detyrat e policisë më komplekse dhe sfiduese.

Këto çështje globale variojnë nga paqja dhe stabiliteti, siguria ndërkombëtare dhe çështjet mjedisore, deri te krizat financiare dhe terrorizmi ndërkombëtar. Kjo e bën edhe më të qartë për të gjithë ne se diplomacia e sotme duhet të mbështetet, më shumë se kurrë më parë, në parimet e paqes dhe demokracisë, stabilitetit dhe progresit, në mënyrë që të sigurojë një botë më të drejtë, të lirë dhe të begatë të jetueshme.

Zonja dhe zotërinj,

Ne besojmë fuqimisht se përmes kontakteve të tilla formale dhe joformale ndërmjet zyrtarëve të sigurisë publike, ne do të jemi në gjendje të avancojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin midis vendeve dhe qeverive tona.

Ne duhet të ndajmë përvoja me njëri-tjetrin dhe gjithashtu kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri, dhe janë shumë fusha ku mund të punojmë dhe të bashkëpunojmë edhe më ngushtë në vitet në vijim.

Diskutimet, komentet dhe vrojtimet tuaja do të jenë jashtëzakonisht të vlefshme për zyrtarët tanë të qeverisë dhe përfaqësuesit tanë të policisë. Unë besoj fuqimisht se prania juaj sot këtu do të shënojë fillimin e një marrëdhënieje edhe më të qëndrueshme mes njerëzve tanë dhe vendeve tona.

Ne presim me besim që Kurset e Sigurisë Publike si të tilla, do të ndihmojnë në ndërtimin e urave midis popujve, shoqërive dhe qeverive tona.

Në fund të këtij fjalimi, edhe një herë ju uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës, duke ju uruar punë të suksesshme dhe qëndrim të këndshëm në vendin tonë.

Faleminderit!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme