Kryeministri Kurti në ceremoninë komemorative në nderim të jetës dhe veprës së akademikut, Rexhep Ferrit: Arti i tij është pasqyrim i përjetshëm i qenies sonë kombëtare

Prishtinë | 07 Qer 2024 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në ceremoninë komemorative në nderim dhe përkujtim të profesorit, piktorit si dhe akademikut të shquar, Rexhep Ferrit, që u mbajt në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“I biri i Shaban Ferrit, mësues i dalluar, i cili hapi shkollat e para shqipe në Tropojë, Pukë e Kukës, do të kujtohet përherë si artisti modernist me stilin më të veçantë. Nuk mund ta shohësh një vepër të Rexhepit dhe të mos e njohësh artistin. Ai pikturoi rreth shtatë dekada, tani piktura e tij do të flet panumër dekada për të. Studentët e tij tregojnë se ai kishte një dhunti e pasion për punën e tij si pedagog dhe edukator ku nxirrte në pah potencialet e fshehura e vullnetet e shtypura të të gjithë atyre.”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Vepra e tij është shumë e madhe e arti i tij është pasqyrim i përjetshëm i qenies sonë kombëtare, u shpreh kryeministri Kurti, i cili më tej shtoi se ajo do të na përcjellë të gjithë neve që patëm fatin e madh ta njohim nga afër. 

“Na la aq shumë vepra e veprimtari sa ngushëllimi i gjithë popullit të Kosovës do të jetë përjetësisht i mbushur me pikturat dhe punimet e tij…. “Shpirti në telajo” nuk është vetëm një prej titujve të pikturave të Rexhepit. Ai përnjëmend la shpirtin në telajo. Do ta kujtoj me mall sepse tashmë më mungon, por edhe do ta përmendi me gëzim sepse kam shumë kujtime. Ai me miq të tij të shëtitjes së mëngjesit, unë me vajzën time të vogël në Parkun e Qytetit. Figurë që me ta shikuar hidhte rrethinën e tij në prapavijën tonë. Njeri që porsa të shikonte të përfshinte në rrethinën e tij të dashur. Ma ngrohin zemrën e m’i japin ngjyrë mendjes kujtimet nga ai, mendimet për të”, u shpreh kryeministri gjatë ceremonisë komemorative.

Kurse, përfaqësuesi i familjes Ferri, Naser Ferri në fjalën e tij, tha se sot për familjen Ferri por edhe për mbarë shqiptarinë është një ditë e rëndë, e dhimbshme. Ai tha se Rexhep Ferri ishte një krijues i madh në fusha të ndryshme të artit, një njeri me shpirt të bardhë, koleg i respektuar dhe bashkëshort i devotshëm. 

Në nderim të jetës dhe veprës së profesorit dhe piktorit Rexhep Ferri, nga një fjalë rasti mbajtën edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja si dhe akademiku Eqrem Basha.

Të pranishëm në këtë ceremoni komemorative, përkrah kryeministrit Kurti, ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Bashkë me kryeministrin Kurti, bënë homazhe te arkivoli i të ndjerit Rexhep Ferri në hollin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Të ngjashme