Kryeministri Kurti organizoi pritje për bashkatdhetarë në Ballkonin e Hapur të Qeverisë

Prishtinë | 02 Gus 2024 | 09:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje në mbrëmje organizoi pritje për bashkatdhetarët në Ballkonin e Hapur të Qeverisë.

Duke u uruar të gjithëve mirëseardhje, fjalën pritëse kryeministri Kurti e filloi me urimin për 25-vjetorin e çlirimit të vendit.

“Gëzohem që ju shoh, e gëzuar edhe 25-vjetori i çlirimit të vendit tonë. Ky vit është jubilar e i veçantë, sepse u bë një çerek shekulli në liri. Edhe këtu, shprehim mirënjohjen tonë të thellë dhe nderimet tona të larta për të gjithë ata e ato që u sakrifikuan për liri. Përulësisht nga ana jonë, lavdia u takon atyre, përjetësisht”, u shpreh kryeministri.

Ai veçoi disa nga nismat kryesore gjatë kësaj qeverisje për lehtësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj mërgatës me tarifat e reja për shërbime konsullore, përfshirjen e tyre në jetën institucionale në vend, përmes Programit për Diplomaci Qytetare mundësitë për investime përmes Dritares për Investime të Diasporës, regjistrimin e mërgatës që po bëhet për herë të parë online përmes patformës Ediaspora dhe programet dhe platformat mirëseardhëse si ajo “Shijo Kosovën” e cila përmes aktiviteteve të ndryshme gjatë verës me qëllim forcimin e lidhjes së mërgatës me vendin.

Kryeministri theksoi se vullnetin, patriotizmin, gatishmërinë, mërgata jonë e ka pasur përherë. Çka i ka munguar mërgatës, shtoi ai, është “shteti në krahë të saj edhe infrastruktura institucionale që vullnetin e pashtershëm, patriotizmin shembull dhe gatishmërinë e përhershme, ta kthej në zhvillim të vendit për më shumë të drejta, për më shumë mirëqenie. E Qeveria jonë këtë e di shumë mirë dhe për këtë angazhohemi çdo ditë.”

Kjo pritje u organizua në kuadër të platformës ‘Shijo Kosovën’, në shënim të Ditës së Diasporës.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Mirë se vini çdo vit, më shumë se një herë në vit, dhe mirë se takohemi edhe këtë vit këtu në Ballkonin e Hapur të Qeverisë suaj.

Gëzohem që ju shoh, e gëzuar edhe 25-vjetori i çlirimit të vendit tonë. Ky vit është jubilar e i veçantë, sepse u bë një çerek shekulli në liri. Edhe këtu, shprehim mirënjohjen tonë të thellë dhe nderimet tona të larta për të gjithë ata e ato që u sakrifikuan për liri. Përulësisht nga ana jonë, lavdia u takon atyre, përjetësisht.

E çlirimi, sakrifica gjithëkombëtare ndër gjenerata, shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur fort.

Ekonomia e vendit tonë apo Bruto Produkti Vendor sivjet do të jetë pesë herë e gjysmë më i madh sesa në vitin 2000. Nuk po e krahasoj me vitin 1999-të, që ishte vit i kthimit të refugjatëve pas luftës, por po e krahasoj me vitin 2000. Për më pak se 25 vjet ekonomia është rritur pesë herë e gjysmë. Ndërkaq, krahasuar me vitin kur është shpallur pavarësia, sivjet Bruto Produktin Vendor do ta kemi tri herë më të madh sesa në atë vit. Ndërkaq krahasuar me katër vjet më herët e kemi sivjet 50% më të lartë Bruto Produktin Vendor.

Qytetarët janë më të lirë. Shteti ynë është më i pavarur e më i zhvilluar. Demokracia është përherë e më e shëndoshë. Qeverisja po bëhet gjithnjë e më e mirë. E nuk besoj të ketë qenë ndonjë Qeveri në të kaluarën më shumë e mërgatës sesa kjo aktuale. Së pari ministren e Punëve të Jashtme, Zëvendëskryeministren time znj. Donika Gërvalla Schwarz e kemi nga mërgata. Pastaj Liza Gashi, para se të jetë zëvendësministre e juaj, ka punuar ngushtë me ju në rrjetëzimin dhe lidhjen e mërgatës dhe diasporës me Kosovën.

Pardje patëm një organizim gjithë ditor dhe koncert mbrëmje për bashkatdhetarët tanë në Sheshin “Skënderbeu” këtu në kryeqytet. Nesër ka një tjetër koncert po aty, “Ramë Lahaj and Friends”. Këtu jemi mbledhur në kuadër të platformës “Shijo Kosovën” që po e organizojmë për të katërtin vit me radhë me shumë aktivitete gjatë gjithë verës që i kontribuojnë lidhjes suaj dhe fëmijëve tuaj me vendin e tyre. Vera në Kosovë po bëhet gjithnjë e më interesante e më tërheqëse.

E jashtë muajve të verës, bashkë e kemi nisur “Dialogun me Mërgatën”. Mbi 100 takime janë zhvilluar në qytete të ndryshme të botës, me qëllim krijimin e një komunikimi të dyanshëm dhe dëgjimin e kërkesave e të sugjerimeve të pjesëtarëve të diasporës.

E kemi ndryshuar ligjin në mënyrë që ju dhe familjarët tuaj të mund të votojnë më lehtë, në ambasadat e në konsullatat e shtetit tonë të përbashkët, përveçse përmes postës së brendshme dhe votimit fizik në Kosovë.

Në vitin që lamë pas organizuam Forumin Ndërkombëtar “Ulpiana Forum” ku u trajtua tema e diplomacisë së diasporës, migrimit dhe ndërtimit të një rrjeti ndërkombëtar për bashkëpunim në këto fusha, me pjesëmarrje të 21 shteteve njohëse dhe jo-njohëse, shoqëri civile, akademinë dhe ekspertë të fushës. Forumin do ta organizojmë edhe këtë vit, gjatë vjeshtës.

Për herë të parë po bëhet regjistrimi online i diasporës përmes platformës ediaspora.rks-gov.net. Nëse ka të tillë në mesin tuaj që nuk janë regjistruar ende, ftesa jonë për regjistrim vlen edhe më shumë për juve, deri më 31 gusht.

Disa tarifa të shërbimeve konsullore, si ajo e rikthimit të shtetësisë, i kemi hequr fare. Shumë tjera i kemi ulur. Shpenzimet e policës së sigurimit për automjete po i mbulojmë edhe këtë vit. Të gjitha këto sepse duam t’ua sjellim më afër shtetin e Kosovës që ju ofron më shumë e ju kushton më pak.

E për t’ju sjellë juve më afër shtetit, ku edhe jepni por edhe fitoni, e shteti përfiton, e kemi hapur “Dritaren për Investime të Diasporës”. Përmes saj do garantojmë huatë e bizneseve me pronarë nga mërgata që duan të investojnë në atdheun e tyre, në vendlindjen e tyre. Mërgata nuk ka vetëm kapital. Ka edhe ekspertizë të çmueshme që është po aq e vlefshme për ne. Tashmë jemi në vitin e dytë të Programit për Diplomaci Qytetare që mundëson që profesionistë të rinj nga diaspora të angazhohen në institucionet tona. Deri tani 30 të rinj kanë qenë pjesë e këtij programi autentik – 10 në gjeneratën e parë, 20 në gjeneratën e dytë, kurse gjenerata e tretë pritet t’i ketë edhe 25 profesionistë. Disa prej tyre janë edhe këtu sonte në mesin tonë. E disa po vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë dhe kanë gjetur punësim edhe pas përfundimit të programit. Sinqerisht ka kthim të trurit, dhe truri i këtyre bashkatdhetarëve tanë që na ndihmojnë në institucionet tona është dëshmi e përditshme e punëve të vyera që ata kryejnë dhe rezultateve që ne i korrim së bashku.

Raste të tilla nuk janë të pakta. Sot, isha për një vizitë në kompani këtu në Prishtinë. Ku pronar janë dy vëllezër të cilët janë kthyer nga Gjermania dhe po e zhvillojnë biznesin e tyre në Kosovë. Vitin e kaluar i kanë pasur të punësuar 50 veta, tash i kishin 70-të.

Një rast tjetër të freskët e kemi me konzorciumin “Orllati”. Kompani nga mërgata jonë në Zvicër, bashkë me partnerë e kompani në Gjermani e në Kosovë, dolën fitues të ankandit të parë diellor prej 100 MW. Bashkë do të investojmë 70 milionë euro. E në kuadër të garës transparente nga çmimi 75 euro për megavat me të cilin filluam në fund rezultoi me vetëm 48.88 euro për megavat orë.

Vullnetin, patriotizmin, gatishmërinë, mërgata jonë e ka pasur përherë dhe për këtë i kemi dëshmitarë juve, familjet, farefisin, ata që janë atje dhe vijnë porsi ju këtu. Disa herë në vit jo vetëm sivjet dhe kjo nuk do diskutim. Çka mërgatës i ka munguar është shteti në krahë të saj edhe infrastruktura institucionale që vullnetin e pashtershëm, patriotizmin shembull dhe gatishmërinë e përhershme, ta kthej në zhvillim të vendit për më shumë të drejta, për më shumë mirëqenie. E Qeveria jonë këtë e di shumë mirë. Për këtë angazhohemi çdo ditë.

Mirë se keni ardhur edhe një herë, e mezi po pres të bashkëbisedoj me të gjithë juve. Nata është e re dhe e bukur, e kjo mbrëmje e këndshme vetëm sa ka filluar.

Faleminderit!

Të ngjashme