Kryeministri Kurti për vrasjet: Të vihet drejtësi dhe të parandalohen vrasje të tilla në të ardhmen

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 09:57 | Nga Gzim Mujaj

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë rastet e katër vrasjeve që kanë ndodhur ditëve të fundit dhe të vihet drejtësi, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se duhet të ketë analizë profesionale, veprim institucional e reflektim shoqëror.

“Dua të ndaj brengën e njëjtë me të gjithë ju në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet edhe drejtësi edhe të parandalohen akte të tilla. Vrasja është akti më i rëndë njeriu-njeriut, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë në të cilën ai bënte pjesë, pra shoqërisë sonë. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, ndalet, dënohet. Duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional, reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën pikërisht në javën kur shënojmë 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë për ta ndalë gjenocidin e Serbisë dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë që synonte shfarosjen e popullit shqiptar”, ka thënë ai.

Të ngjashme