Kryeministri Kurti reagon pas mbylljes së dy depove, nuk e lejojmë zhvatjen

Prishtinë | 10 Mar 2022 | 23:43 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas mbylljes së dy depove nga aksioni i Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë.

“Pas një aksioni të Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, Departamentit për hetimin e Krimeve Ekonomike, në dy depo (Fushë Kosovë dhe Graçanicë) është gjetur vaj për të cilin ka munguar dokumentacioni”, ka shkruar Kurti në Facebookun e tij.

“3.49 euro për një shishe vaj është rritje artificiale. Nuk e lejojmë zhvatjen. E kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë e përfitojnë në emër të krizës”, thuhet në postimin e bërë në orët e vona.

Mediet kanë raportuar se aksioni është ndërmarrë në depon kryesore të zinxhirit të marketeve “Viva Fresh Store”.

Të ngjashme