Kryeministri Kurti takohet me bashkatdhetarë në Berlin

Prishtinë | 14 Tet 2024 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Në Berlin ishte mikpritja e radhës që iu bë Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Gjermani. 

I shoqëruar edhe nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kryeministri Kurti ndau me të pranishmit e shumtë të arriturat dhe sukseset e vendit dhe qeverisjes në të gjitha fushat në këto më shumë se tre vjet e gjysmë qeverisje. 

Ai e ftoi mërgatën tonë të vijë sa më shumë e sa më shpesh në Kosovë, teksa i njohu me mundësitë institucionale që kemi krijuar për ata, përfshirë Programin për Diplomacinë Qytetare dhe mundësitë që ofron statuti i ri i Universitetit të Prishtinës për akademikët nga mërgata.  

“Për dallim nga para tri dekada kur thoshim ejani të kontriboni duke sakrifikuar, tani themi ejani të fitoni duke investuar. Në Kosovë mund të fitohet”, u shpreh kryeministri.   

Duke folur për rolin e rëndësishëm që mërgata ka luajtur ndër vite, ai tha se mbijetesa në vitet e ’80-ta dhe mbijetesa në vitet e ’90-ta me rezistencën paqësore nuk do të mund të mbahej pa ta, lufta çlirimtare gjithashtu nuk do të mund të mirëmbahej pa ta, dhe zhvillimin e pasluftës po bëhet bashkë me ta.  

Në adresimin e tij, kryeministri gjithashtu veçoi arsimin dual që në Kosovë po zhvillohet në 23 shkolla, 14 komuna dhe 12 profile nga të cilat kanë përfituar 1600 nxënës, e që bazohet dhe frymëzohet pikërisht nga vendet gjermanishtfolëse dhe për të cilat kemi mësuar shumë nga përvojat e vet mërgatës sonë. 

“Nëse ka një gjë që është më e rëndësishme edhe se ekonomia, edhe se arsimi, është lidhja e ekonomisë me arsimin”, shtoi më tej kryeministri teksa foli për përfitimet nga arsimi dual. 

Ndër të tjera, ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve të brezit të dytë dhe të tretë që ta mësojnë gjuhë shqipe me sa më shumë përkushtim dhe disiplinë.

“Mësimi i gjuhës shqipe është jo vetëm mundësia e dëshmia, por unë besoj është edhe garancia, se integrimi pa asimilim ndodh, dhe kjo është ajo që na duhet neve, integrim pa asimilim”, ishin fjalët e kryeministrit drejtuar të pranishmëve. 

Ky ishte takimi i katërt me radhë i kryeministrit Kurti në qytete të Gjermanisë gjatë kësaj fundjave. Paraprakisht, kryeministri ishte mirëpritur në Munih, Shtutgart dhe Këln. 

Të ngjashme