Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim delegacionin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), të prirë nga Vessela Tcherneva, Zëvendësdrejtore dhe Shefe e zyrës së ECFR, në Sofje.
Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit dhe krijimin e vendeve të punës, në mënyrë që të ofrojmë mundësi të barabarta për të gjithë.
Ai veçoi synimet për krijimin e një ambienti të favorshëm për të tërhequr investitorët e huaj drejt krijimit të një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimit të vendit.
Kryeministri theksoi se zgjedhjet demokratike dhe fitorja bazuar në përkrahjen masive e qytetarëve kanë sjellë rezultate pozitive në të gjitha fushat. Ai vuri theksin te rritja e hovshme e ekonomisë, që sipas Bankës Botërore është 9,9%.
Për shkak të rritjes së besimit të qytetarëve në qeveri janë rritur edhe të hyrat buxhetore, investimet e jashtme si dhe remitancat nga diaspora. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar në shëndetin dhe rritjen e ekonomisë, tha kryeministri.
Delegacioni u interesua për zhvillimet e gjithmbarshme në vend në këta shtatë muaj të qeverisjes, me theks në bashkëpunimin rajonal dhe bisedimet me Serbinë.
Në fushën e bashkëpunimit rajonal, Kosova është pro bashkëpunimit dhe integrimit në kuadër të agjendës evropiane dhe me prezencën e pjesëmarrjen e BE-së. Kryeministri potencoi se bashkëpunimi duhet të jetë ekonomik, por edhe i bazuar në vlera ku avancojmë të drejtat dhe liritë.
Bisedimet me Serbinë janë për statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku zgjidhen çështjet e pazgjidhura sikurse borxhet, dëmet e luftës e reparacionet, e që rezulton me njohje reciproke, tha kryeministri.
U bisedua edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, për çka përfaqësuesit e ECFR shprehen brengën për vonesën në këtë proces.
Delegacioni nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë shprehu mbështetje për punën dhe objektivat e Qeverisë.
Pjesë e delegacionit nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ishin: Sylvia Kauffmamn, Drejtore editoriale e Le Monde , njëherit anëtare e Këshillit të ECFR, Hannes Swoboda, President, Instituti Ndërkombëtar për Paqe, ish-deputet i Parlamentit Evropian, Vesna Pesic, deputete; ish ministre e Jashtme e Kroacisë, Engjëllushe Morina, anëtare e lartë e politikave, Programi Wider Europe , Maria Simeonova, Koordinatore e Programit, zyra e Sofjes dhe Ballkani Perëndimor, Ivan Vejvoda, Drejtor, Projekti i Evropës dhe Anëtar i Përhershëm, Instituti për Shkenca Humane.