Herën e kaluar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Shefi i programit për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), Matthew Holliday u takuan paraditen e 23 marsit, një para se kryeministri Kurti të marrë edhe zyrtarisht detyrën e kreut të ekzekutivit. Në atë takim, z. Holliday e pati uruar kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa sot e uroi për detyrën e re dhe të arriturat në këtë 100 ditësh, dhe i dëshiroi suksese në punën dhe planet reformuese të qeverisë.
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, çështja e personave të zhdukur me dhunë ka rëndësi prioritare, sepse është humbur shumë kohë. Plagët dhe dhimbja e familjeve të të zhdukurve dhe shoqërisë sonë janë asisoj që koha nuk i shëron por vetëm sa i rëndon, tha kryeministri Kurti. Ai e falënderoi ICMP-në për asistencën dhënë Kosovës në lidhje me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
Z. Holliday u shpreh se e çmon lart angazhimin e parezervë që kryeministri Kurti ka treguar ndër vite në çështjen e të pagjeturve, teksa ofroi gatishmërinë për bashkëpunim edhe më të thellë dhe përkrahje për institucionet e Kosovës. Në këtë drejtim, u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë. Ai gjithashtu e përgëzoi kryeministrin për emërimin e z. Andin Hoti, Kryesues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Në takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci.